Presidenti Meta përshëndet Samitin Botëror të Grave dhe Vajzave

Presidenti Meta përshëndet Samitin Botëror të Grave dhe Vajzave

E nderuara Dr. Justina Mutale, Presidente e Fondacionit “Justina Mutale”,

Shkëlqesia Juaj, Presidente Atifete Jahjaga!

Shkëlqesi!

Të dashura gra dhe vajza nga e gjithë bota!

Është kënaqësia ime të marr pjesë në këtë Samit Botëror të Grave dhe Vajzave, që feston sot Ditën Ndërkombëtare të Vajzës të Kombeve të Bashkuara 2020.

Jam i bindur se kjo ngjarje do t’u shërbejë grave dhe vajzave të ndajnë sfidat dhe përvojat e tyre: duke filluar nga barazia gjinore tek fuqizimi i grave dhe vajzave, e duke vazhduar me dhunën kundër tyre për shkak të gjinisë, e deri tek udhëheqja femërore.

Do të doja të falenderoja Presidenten Atifete Jahjaga, e cila është kujdesur që unë të jem i pranishëm sot në këtë Samit.

Ajo u bë e para Presidente femër e Republikës së Kosovës dhe të gjithë rajonit, e vazhdimisht ka mbrojtur të drejtat e grave dhe vajzave në Kosovë, në rajon dhe më gjerë.

Gjatë përvojës time të gjatë në politikë, kam pasur fatin të punoj dhe të bashkëpunoj me shumë gra dhe vajza me integritet të lartë profesional e përkushtim të jashtëzakonshëm në punët dhe përgjegjësitë e tyre.

Të nderuar pjesëmarrës,

Pandemia Covid-19 e ka futur botën në një krizë serioze shëndetësore, sociale dhe ekonomike, e ka përforcuar pabarazitë gjinore, racore, etnike dhe socio-ekonomike.

Nga kjo krizë, janë prekur veçanërisht gratë dhe vajzat në të gjithë botën.

Ne, si udhëheqës duhet ta pranojmë pasigurinë që është përhapur, duhet të drejtojmë me ndjeshmëri dhe të ndihmojmë në ndërtimin e mjediseve ku gratë mund të ecin përpara.

Kam parë gra në Shqipëri, në Kosovë, në rajon, dhe në të gjithë botën, që edhe në një situatë kaq të vështirë, punojnë fort, ëndërrojnë shumë, dhe janë optimiste, pavarësisht sfidave, me të cilat të gjithë ne jemi duke u përballur.

Zonja dhe zotërinj,

Barazia gjinore është ende një betejë e papërfunduar dhe një sfidë e madhe për shoqëritë tona.

Megjithatë, për shumë gra dhe vajza, liritë dhe të drejtat e të cilave ende po shkelen, angazhimi i tyre në administratë, në shërbimin publik dhe në politikë, tashmë është një fakt i pamohueshëm i emancipimit social në vendin tim.

Do të doja t’i përgëzoja, sepse është padyshim për shkak të meritave dhe angazhimit të tyre për t’u arsimuar dhe edukuar gjatë gjithë jetës.

Ne duhet të vlerësojmë cilësitë e vyera profesionale dhe intelektuale të grave dhe vajzave në politikë dhe politikëbërje.

E pranoj se në ligjërimin tonë të tepruar politik dhe në mjedisin tonë shoqwor mashkullor, nuk është e lehtë për një zonjë, edhe bashkëshorte, edhe nënë, të jetë e angazhuar në jetën politike, ose shërbimin publik.

Prandaj është e rëndësishme të përkrahen sa më shumë modelet e grave dhe vajzave të suksesshme në politikë.

Modele të devotshmërisë dhe të përkushtimit.

Duhet të përkrahim dhe t’i japim përparësi barazisë dhe përfshirjes, një vend pune më fleksibël dhe të përshtatshwm, shërbime dhe infrastruktura më të mira, për të lehtësuar përparimin e grave dhe vajzave në shoqërinë tonë.

Shoqëria jonë duhet ta adresojë fort çështjen e dhunës ndaj grave dhe vajzave, që mbart kosto të konsiderueshme sociale dhe ekonomike për vendet tona.

Zvogëlimi dhe eliminimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave kërkon një qasje të shumëfishtë bazuar në komunitet, e angazhim të vazhdueshëm të të gjitha palëve të interesuara.

Mosadresimi i këtyre çështjeve nënkupton një kosto të konsiderueshme për të ardhmen e shoqërisë sonë dhe vendeve tona.

Ndaj, ne duhet të punojmë të gjithë së bashku për t’u siguruar që zëri i grave dhe vajzave të dëgjohet.

Zonja të nderuara!

Një grua e mrekullueshme, një nga më të shkëlqyerat që ka pasur njerëzimi, Nënë Tereza, thotë: “Bota është plot me njerëz të mirë. Nëse nuk arrini t’i gjeni, bëhuni ju një i tillë!”

Është thelbi i dashurisë që Nënë Tereza la pas, që na kujton për fuqinë që jeton tek të gjithë ne.

Për aq kohë sa kemi një zemër, e një mendje të përqendruar tek dashuria, kemi fuqinë të bëjmë një ndryshim në jetën e shumë njerëzve.

Faleminderit për mesazhet e fuqishme që po i jepni botës, përmes vlerave, të cilat ju jo vetëm i besoni, por dhe punoni fort për t’i realizuar ato!

Ju uroj shumë suksese në këtë Samit!