Presidenti Meta përshëndet seancën e radhës së dhurimit të gjakut të organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë: Mbështetja dhe ndihma për më të pamundurin, më të dobëtin, më të pafuqishmin janë pjesë e filozofisë dhe e edukimit të të gjitha besimeve tona fetare.

Presidenti Meta përshëndet seancën e radhës së dhurimit të gjakut të organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë: Mbështetja dhe ndihma për më të pamundurin, më të dobëtin, më të pafuqishmin janë pjesë e filozofisë dhe e edukimit të të gjitha besimeve tona fetare.

Në zyrat e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, Sh.T Z. Ilir Meta u mbajt sot seanca e radhës së dhurimit të gjakut, në kuadër të nismës së ndërmarrë nga Kreu i Shtetit “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.

Presidenti Meta vlerësoi solidaritetin e KMSH-së, Kryetarit Haxhi Bujar Spahiu, të drejtuesve të tjerë fetarë e shpirtërorë, si edhe të dhjetëra besimtarëve myslimanë shqiptarë, që iu përgjigjën sot, jo për të parën herë, thirrjes për të dhuruar gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë dhe të sëmurëve, të cilët kanë nevojë jetike për gjak.

“Falënderoj nga zemra Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe të gjithë besimtarët myslimanë, të cilët me vullnetarizëm u solidarizuan sot me kauzën humane të dhurimit të gjakut, duke organizuar në Tiranë, jo për herë të parë, një seancë dhurimi në ndihmë të fëmijëve talasemikë dhe kujtdo, që ka nevojë jetike për të.

Mbështetja dhe ndihma për më të pamundurin, më të dobëtin, më të pafuqishmin janë pjesë e filozofisë dhe e edukimit të të gjitha besimeve tona fetare.

Dhurimi i gjakut nga besimtarët e islamit në kryeqytet është një nga shembujt më të mirë dhe frymëzues, se si këto mësime vihen konkretisht në zbatim në jetë, duke i shërbyer komunitetit dhe të gjithë atyre që kanë nevojë.

I lumtur të mësoja nga Kryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu se seanca e sotme do të ndiqet në vazhdim me të tjera seanca dhurimi gjaku në xhami të ndryshme të Tiranës dhe qytete të tjera të vendit.

Mirënjohje besimtarëve myslimanë për solidaritetin e dëshmuar! Zoti t’ua shpërblejë me bekime në jetë dhe në familjet e tyre!”, – u shpreh Presidenti Meta.