Presidenti Meta përshëndet veprimtarinë “Rrugët e Skënderbeut” në Krujë

Presidenti Meta përshëndet veprimtarinë “Rrugët e Skënderbeut” në Krujë

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ishte sot i pranishëm në veprimtarinë e zhvilluar në Muzeun e Krujës nga Shoqata arbëreshe nga Kalabria “Magna Grecia Off-Road”, që përkujton rrugëtimin historik të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu nëpërmjet rikthimit nga Stambolli në kryeqendrën arbërore.

Veprimtaria e emërtuar “Arbëreshët vijnë në ‘Rrugët e Skënderbeut” nisi me shfaqjen e filmit dokumentar “Arbëria e Kalabrisë”, ndërsa të pranishëm ishin edhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Kalabri, Aldo Marino, nënkryetari i Bashkisë së Krujës Ilir Loci, z. Giussepe Russo presidenti i shoqatës arbëreshe “Magna Grecia Off-Road”, ish-deputeti, z. Namik Dokle dhe znj. Irena Toçi drejtore e Institutit të Librit dhe Promocionit.

Në fjalën e Tij drejtuar të pranishmëve, Presidenti Meta pasi përshëndeti fillimisht Ministren e Kulturës si dhe Irena e Fatmir Toçin për angazhimin e tyre në forcimin e lidhjeve të kulturës e në shumë fusha të tjera me arbëreshët, për Aldo Marinon dhe Shoqatën “Magna Grecia Off-Road”, u shpreh:

“Mendoj se kemi një trinom të pandashëm: Skënderbe – Arbëreshë – dhe Shqipëri. Pa Skënderbeun nuk do të kishim pasur arbëreshë. Pa arbëreshët figurën e Skënderbeut mund ta kishim humbur, ose të na e kishin marrë të tjerët. Dhe jo vetëm kaq, por përmes arbëreshëve, figura e Skënderbeut u rikthye në këto troje për të frymëzuar Rilindjen Kombëtare, e cila solli edhe Pavarësinë e Shqipërisë. Por siç e kemi vënë re ka sjellë edhe Pavarësinë e Kosovës e shumë zhvillime të tjera të mbara për kombin tonë. Kështu që ne u jemi mirënjohës përjetësisht arbëreshëve, të cilët për shekuj të tërë kanë ruajtur jo vetëm gjuhën, traditat, kulturën, ritet fetare, dashurinë për vendin e të parëve, dashurinë dhe adhurimin për figurën e Skënderbeut. Kontributi i tyre është i jashtëzakonshëm jo vetëm gjatë Rilindjes sonë Kombëtare, por edhe në të gjitha momentet e tjera.

Këto ditë duke lexuar më shumë për bashkësinë shqiptare në Amerikë dhe lidhur me formimin e saj, dhe për rolin që ka luajtur sidomos në drejtim të Nolit, Konicës dhe të tjerëve për proceset që sollën Pavarësinë e Shqipërisë, kam vënë re që një rol të veçantë: për ngjizjen e kësaj bashkësie dhe bashkimin e shqiptarëve atje, – gjë që për fat të keq nuk është gjithmonë e lehtë, – kanë luajtur arbëreshët e Italisë. Madje edhe ndër financuesit kryesorë të veprimtarive, të gazetave të bashkësisë shqiptare në Amerikë kanë qenë pikërisht arbëreshët e Italisë. Pra lidhja dhe ndjenja e tyre kombëtare është e jashtëzkonshme dhe sa më shumë të kërkosh, aq më shumë do të gjenden kontributet e tyre.

Kështu që mendoj se edhe ky tur që ju organizoni  jo vetëm që nuk është i rastësishëm, sepse ju vazhdimisht e bëni këtë, por është edhe shumë kuptimplotë. Është një tur edhe kulturor, edhe historik, edhe mbarëshqiptar, edhe mjaft përfshirës. Edhe pjesëmarrja që do të keni në datën 6 për Festën e Shën Gjergjit në Durrës mendoj se do të jetë shumë pozitive, pasi në këtë mënyrë ju jo vetëm evokoni historinë dhe ngjarjet e lavdishme, por jeni edhe promovuesit më të mirë të bukurive natyrore, të atraksioneve turistike të Shqipërisë.

Thamë që pa Skënderbeun nuk do të kishte arbëreshë. Pa arbëreshë s’do të na ishte rikthyer Skënderbeu dhe nuk do të kishim Pavarësinë e Shqipërisë e gjithë këto gjëra të tjera, por të themi edhe një fjalë të mirë për Italinë. Ngaqë mendoj se mikpritja, toleranca që ata kanë gjetur atje ka qenëvërtet mjaft e domosdoshme për këtë ruajtje të traditave, të ndjenjave kombëtare. Dhe sot kontributi i arbëreshëve është shumë i rëndësishëm edhe për forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë.

Ky është Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut. Pra është një vit që ne besojmë se do të sjellë edhe negociatat e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Dhe këto nuk janë krejt të rastësishme, për arsye se identitetin tonë evropian në radhë të parë e ka vendosur dhe e ka përcaktuar Skënderbeu me historinë e tij të lavdishme, e cila na bën edhe sot krenarë.

Mund të flasim shumë për Skënderbeun, por asnjëherë nuk do të arrijmë të themi thelbin e asaj që përfaqëson Skënderbeu, që mendoj se e ka thënë Fan Noli që Skënderbeu në çdo kohë është shqiptari më i gjallë ndër gjithë shqiptarët e tjerë, sepse është më frymëzuesi për ndjenjën kombëtare, është më përbashkuesi për të gjithë shqiptarët kudo ku  janë”.