1 Qershor 2018 Presidenti Meta pret fëmijët me rastin e festës së tyre, 1 Qershorit
Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Presidenti i Republikës Sh. T. Z. Ilir Meta priti sot në Institucion fëmijë të moshave të ndryshme, mes të cilëve edhe nxënësit e shkollës së fshatit Hajmel i Shkodrës.
Tema e veprimtarisë festive ishte: “Çdo fëmijë është një lule dhe të gjithë së bashku, e bëjnë këtë botë një kopësht të mrekullueshëm”.
Në kujdesin e Presidentit të Republikës fëmijët kaluan një ditë feste në kopshtin e Institucionit të mbushur me veprimtari krijuese duke vizatuar, duke luajtur e argëtuar me bashkëmoshatarët e tyre, në praninë e prindërve dhe mësuesve të tyre. Tema e vizatimeve dhe punimeve të fëmijëve ishin kryesisht lulet me ngjyrat e ndezura pranverore. Punimet dhe krijimet plot fantazi të fëmijëve u ekspozuan më pas në kopshtin e Presidencës.
Gjatë bashkëbisedimit me ta, Presidenti Meta theksoi: “Falënderoj fëmijët të cilët janë këtu në këtë ditë të jashtëzakonshme të 1 Qershorit, që është dita e fëmijëve. Këtej kemi festë, kemi gëzim, kemi piktura plot ngjyra, nga ana tjetër kishim një peticion nga organizatat e shoqërisë civile, të cilat kërkojnë një vëmendje më të madhe për të drejtat e fëmijëve në vendin tonë në mënyrë që çdo fëmijë kudo ku jeton të ketë mundësi të gëzojë jo vetëm më 1 qershor, por njëkohësisht të ketë mundësi për të përfituar shërbime sa më të mira në të gjithë vendin për të gjithë vitin.
Në mënyrë të veçantë do të falënderoja fëmijët e shkollës së Hajmelit, të cilët kanë bërë rrugë të gjatë për të ardhur këtu dhe për fjalët e tyre dhe për dhuratën e tyre me materiale të riciklueshme. Një gjë mjaft pozitive dhe ju jap fjalën që shumë shpejt do t’ua kthej këtë vizitë, do të vij në Hajmel.
Uroj që të mësoni sa më shumë, sepse vetëm në këtë mënyrë do t’i realizoni në mënyrën më të sigurt ëndrrat tuaja, planet tuaja për të ardhmen, por edhe t’i gëzoni aq shumë prindërit tuaj, që punojnë që sakrifikojnë për edukimin dhe perspektivën tuaj. Sepse Hajmeli është një nga zonat më të njohura në Shqipëri, janë njerëz mjaft punëtorë, që punojnë shumë dhe kanë produkte mjaft cilësore”.
Presidenti Meta iu shprehu edhe një herë urimet më të mira fëmijëve me rastin e 1 Qershorit dhe me këtë rast u zotua për të pasur një angazhim edhe më të fortë edhe më bashkëpunues me të gjithë institucionet shtetërore, me të gjithë shoqërinë civile. “Në këtë mënyrë ne të drejtat e fëmijëve t’i garantojmë realisht kudo në të gjithë vendin që të mos kemi fëmijë, të cilët privohen nga shkollimi, nga edukimi për shkak të problemeve familjare, të pamundësive ekonomike e financiare. Unë besoj se me përpjekje të përbashkëta ne do ta arrijmë këtë”, – shtoi Presidenti i Republikës.
]]>