Presidenti Meta pret Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë

Presidenti Meta pret Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti në një takim Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë, te kryesuar nga Presidenti i këtij Këshilli, ish-ministri i Punëve të Jashtme, z. Besnik Mustafaj.

Qëllimi i këtij takimi ishte njohja me misionin dhe programin e kësaj organizate, të themeluar nga një grup ish-ambasadorësh të Republikës së Shqipërisë si dhe bashkëpunimi me Institucionin e Presidencës, në funksion të politikës së jashtme të Shqipërisë.

Krijimi i këtij Këshilli, tha Presidenti Meta, është një nismë e vyer e cila do të ndihmojë me kontributin, përvojën dhe këshillat profesionale në çështje të rëndësishme të politikes se jashtme.

Prania gjithëpërfshirëse e shumë personaliteteve të diplomacisë dhe marrëdhenieve ndërkombetarë është garanci për afirmimin e Këshillit të Ambasadorëve si një forum i pavarur dhe i orientuar nga interesat kombëtare.

Presidenti u shpreh gjithashtu se politika jonë e jashtme duhet të jetë larg ndikimit të interesave të politikës së ditës, e maturuar dhe e përqendruar në interesat e qëndrueshme kombëtare, si dhe të ndërtohet mbi besueshmërinë afatgjatë ndaj aleatëve dhe partnerëve tanë.