4 Shkurt 2021 Presidenti Meta pret në një takim Kryetarin e Asamblesë së Madhe të Republikës së Turqisë, Sh.T.Z. Mustafa Sentop
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim të ngrohtë Kryetarin e Asamblesë së Madhe të Republikës së Turqisë, Sh.T.Z. Mustafa Sentop dhe delegacionin, që e shoqëron në këtë vizitë zyrtare në Shqipëri.
Duke vlerësuar marrëdhëniet tradicionale të shkëlqyera mes dy vendeve e popujve tanë dhe pasi nënvizoi rëndësinë e zhvillimit më tej të tyre në të ardhmen, Presidenti Meta theksoi nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe rritjes së investimeve turke në Shqipëri.
“Përvoja e bashkëpunimit si dy vende aleate në NATO dhe Partneriteti Strategjik midis Shqipërisë dhe Turqisë, mbeten një platformë e rëndësishme e përpjekjeve e përbashkëta për sigurinë dhe paqen”, – pohoi Kreu i Shtetit.
Presidenti Meta e falënderoi Kryetarin Sentop për solidaritetin dhe ndihmën e menjëhershme të dhënë nga autoritetet turke pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, dhe për angazhimin e Turqisë e Presidentit Erdogan për ndërtimin e 500 apartamenteve të banimit për të prekurit nga tërmeti në zonën e Kurbinit, si dhe për ndërtimin e Spitalit të Fierit.