Presidenti Meta pret në një takim Ministrin e Kulturës së Maqedonisë, z. Asaf Ademi

Presidenti Meta pret në një takim Ministrin e Kulturës së Maqedonisë, z. Asaf Ademi

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim Ministrin e Kulturës së Maqedonisë, z. Asaf Ademi.

Presidenti Meta përgëzoi Ministrin Ademi për përparimin që po bën Maqedonia, veçanërisht në çështje kyçe që kërkojnë guxim dhe vendosmëri të madhe politike dhe shtetërore. Ai shprehu bindjen se vazhdimësia e kësaj qasjeje do të hapë perspektiva të reja si për zhvillimin e prosperitetin e Maqedonisë, ashtu edhe në marrëdhëniet në rajon.

Presidenti i Republikës çmoi bashkëpunimin dypalësh mes dy vendeve tona, me besimin se agjenda e dakordësuar e Pogradecit do të zbatohet me shpejtësi nga të dy vendet.

Kreu i Shtetit çmoi miratimin në Kuvendin maqedon të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, duke shpresuar për një zbatim të plotë dhe sa më të shpejtë të tij në të gjitha nivelet, si shprehje e drejtpërdrejtë e angazhimit për zbatimin e plotë të frymës dhe gërmës së Marrëveshjes së Ohrit. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës theksoi se faktori shqiptar në Maqedoni ka mundësinë të rikonfirmojë qasjen e palëkundur integruese duke u angazhuar me të gjitha energjitë për suksesin e referendumit të 30 shtatorit.

Bashkë me përgëzimet për 27-vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë, Presidenti Meta uroi që 1 tetori të hapë një perspektivë të re të integrimit evropian dhe euro-atlantik të Maqedonisë, për një të ardhme më të mirë të të gjithë qytetarëve në këtë vend.