Presidenti Meta pret në takim Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko

Presidenti Meta pret në takim Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, me kërkesë të Tij, priti sot paradite në një takim Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, për të diskutuar në lidhje me situatën e re të krijuar si pasojë e pandemisë së COVID 19, si dhe efektet e mundshme në ekonominë e vendit dhe në sektorin bankar.

Guvernatori Sejko e informoi Presidentin Meta se gjendja e sektorit bankar vazhdon të jetë likuide dhe e mirëkapitalizuar dhe se janë marrë të gjitha masat për një vazhdimësi normale të aktivitetit operacional me klientët.

“Banka e Shipërisë është angazhuar për marrjen e vendimeve lehtësuese në interes të komunitetit të biznesit dhe të individëve. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka marrë në analizë situatën e krijuar, efektet e mundshme të saj në ekonominë e vendit dhe disponon instrumentat e nevojshëm në funksion të ruajtjes së parametrave makro-ekonomikë dhe stabilitetit financiar në vend”, – sqaroi Guvernatori Sejko.

Presidenti Meta vlerësoi punën e Bankës së Shqipërisë dhe shprehu besimin se do të merren në kohë të gjitha masat e nevojshme për të shmangur efektet negative, si në sektorin bankar, ashtu edhe në stabilitetin makro-ekonomik të vendit.