1 Shkurt 2022 Presidenti Meta pret në takim Sekretarin e Shtetit për Politikat e Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Hungarisë, zotin Peter Sztaray
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim Sekretarin e Shtetit për Politikat e Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Hungarisë, zotin Peter Sztaray, i cili ndodhet në Shqipëri për në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe përurimit të shtatores së Mbretëreshës Geraldinë në Tiranë.
Presidenti Meta vlerësoi këto ngjarje të rëndësishme në historinë e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit tradicionalisht shumë të mirë mes dy popujve tanë në momentet më të rëndësishme dhe kritike të kthesave historike jo vetëm të Shqipërisë e Hungarisë por të vetë Europës.
Presidenti i Republikës vuri theksin në mësimet që kombet tona duhet të nxjerrin nga e kaluara për të ndërtuar një të ardhme edhe më të mirë, më të begatë dhe një bashkëpunim edhe më të fortë politik, ekonomik e tregtar, kulturor e arsimor dhe për të mirëpritur në Shqipëri edhe me shumë investime hungareze.
Presidenti Meta shprehu miënjohjen për qëndrimin mbështetës dhe inkurajues të Hungarisë për integrimit europian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor, si dhe për ndihmesën e vendit të tij në kuadrin të Presidencës Hungareze të V4 dhe V4-WB6.
Prononcimi për mediat i Presidentit Meta dhe Sekretarit të Shtetit Sztaray:
Presidenti Meta: Prita sot në një takim të veçantë Sekretarin e Shtetit të Punëve të Jashtme të një vendi jashtëzakonisht mik dhe aleat si Hungaria, zotin Peter Sztaray me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, por njëkohësisht edhe me rastin e 20-vjetorit të kthimit të Familjes Mbretërore dhe të Mbretëreshës së paharruar Geraldinë në Atdhe.
Me këtë rast dua të theksoj se marrëdhëniet tona me Hungarinë janë shumë të hershme. Ato janë të lidhura fort në historinë e përbashkët nga aleanca midis Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe Heroit të Hungarisë, Huniadit.
Kjo miqësi është e përjetësuar tashmë me statujën e Skënderbeut në një nga sheshet më të bukura të Budapestit. Ashtu sikurse edhe sot do të kemi edhe shtatoren e Mbretëreshës Geraldinë në Tiranë dhe në ditët e ardhshme kam vendosur kam vendosur që të komunikoj me kryetaren e Kuvendit dhe me aktorë të tjerë në mënyrë që të përjetësojmë kujtimin e saj edhe përmes aprovimit të një dekorate shtetërore në nderim të Mbretëreshës Geraldinë për të gjitha gratë, për të gjitha vajzat të cilat promovojnë vendin tonë, por që edhe njëkohësisht kontribuojnë për fuqizimin e gruas dhe të vajzës shqiptare, sepse kjo është e domosdoshme për të pasur një Shqipëri të vërtetë europiane.
Njëkohësisht e falënderova Sekretarin e Shtetit për mbështetjen e palëkundur të Hungarisë për integrimin europian të Shqipërisë, si dhe për bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes reciprok.
Sekretar hungarez i Shtetit: Zoti President, është një nder dhe privilegj që jam sot këtu në Tiranë me këtë rast të shënuar kur festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë.
Në raste të tilla kthejmë vështrimin pas në histori dhe është e qartë se shqiptarët janë të lidhur me hungarezët përgjatë shekujve duke filluar që nga Skënderbeu me Janosh Huniadin, por edhe gjatë shekullit XX me Mbretëreshën e Shqipërisë Geraldinën, e cila ishte një heroinë për të dy kombet tona.
Jam shumë i lumtur që gjendem këtu, duke sjellë mesazhe për miqësinë mes dy popujve tanë si dhe për vullnetin tonë që bashkëpunojmë ngushtësisht me Shqipërinë për të mbështetur përpjekjet tuaja integruese në BE, dhe shpresojmë se Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Europian në të ardhmen e afërt! Kjo është në interesin tonë të përbashkët.
Kjo është një tjetër dëshmi e miqësisë mes dy popujve tanë.
Ju faleminderit shumë që na mikpritët! Mezi po pres që të zbuloj e të përuroj shtatoren e Mbretëreshës Geraldinë, që është një dhuratë e shtetit hungarez për shqiptarët. Ju faleminderit shumë!