3 Qershor 2019 Presidenti Meta pret në takimin Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme të Sllovakisë, njëkohësisht Kryesues i radhës i OSBE-së, z. Miroslav Lajçak
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti në takim Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme të Sllovakisë, njëkohësisht Kryesues i radhës i OSBE-së, z. Miroslav Lajçak.
Presidenti Meta vlerësoi vëmendjen që Kryesia sllovake i ka kushtuar rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjes së kandidaturës shqiptare për kryesimin e Organizatës gjatë 2020-s.
“Në këtë sipërmarrje, Shqipëria do të mbështetet në ekspertizën e Sekretariatit të OSBE-së dhe të vendeve partnere, duke siguruar vazhdimësinë e prioriteteve me kryesitë e mëparshme, përfshirë dhe Sllovakinë”, – u shpreh Presidenti Meta.
Kreu i Shtetit inkurajoi gjithashtu forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Sllovakisë, përfshirë bashkëpunimin edhe më të madh në kuadër të Grupit të Vishegradit.
Duke u ndalur në Kryesinë shqiptare të OSBE për vitin e ardhshëm, Presidenti Meta theksoi se kjo është një përgjegjësi shumë e madhe që kërkon përkushtim tejet serioz edhe për vetë ndikimin që ka për imazhin e vendit.
“Është e domosdoshme që gjatë kryesisë së OSBE-së, Shqipëria të reflektojë vlerat e mirëfillta të demokracisë, të shtetit ligjor dhe të respektimit të lirive themelore, duke mishëruar denjësisht imazhin e Organizatës”, – theksoi Presidenti Meta.
Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit evidentoi domosdoshmërinë e zgjidhjes urgjente të krizës së thellë kushtetuese, institucionale, politike dhe përfaqësuese ku ndodhet vendi, përmes reflektimit dhe dialogut.