28 Qershor 2018 Presidenti Meta pret Presidentin e Bashkimit të Transmetuesve Evropianë, Jean-Paul Philippot
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta priti në një takim Presidentin e Bashkimit të Transmetuesve Evropianë (EBU), z. Jean-Paul Philippot dhe Drejtorin e Përgjithshëm të EBU, z. Noel Curran.
Presidenti Meta vlerësoi zhvillimin në Tiranë, nën kujdesin e Radio Televizionit Publik Shqiptar, të mbledhjes së Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të EBU.
Presidenti Meta çmoi dedikimin e këtij organizmi për ta bërë shërbimin e medias publike të domosdoshëm dhe inkurajoi drejtuesit e lartë të EBU për të fuqizuar marrëdhëniet dhe forcuar më tej bashkëpunimin me RTSH, me qëllim modernizimin e rritjen e mëtejshme profesionale të këtij mediumi publik.
Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu se liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për respektimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike si dhe shprehu solidarizimin e tij të plotë me komunitetin e gazetarëve.
Në këtë drejtim, theksoi Presidenti Meta, është e nevojshme mbështetja dhe forcimi i mëtejshëm i Radio Televizonit Publik Shqiptar.
]]>