5 Korrik 2021 Presidenti Meta pritet me nderime të veçanta shtetërore nga homologu i Tij hungarez, Sh.T.Z. János Áder: Mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale mes dy vendeve, të ardhme premtuese
Budapest, Hungari
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në krye të delegacionit zyrtar shqiptar pasi mori pjesë në ceremoninë solemne të përurimit të bustit të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, u prit me nderime të veçanta shtetërore nga homologu i Tij, János Áder, me të cilin zhvilloi fillimisht një takim kokë më kokë, dhe më pas, bisedime dypalëshe me delegacionet respektive zyrtare.
Në përfundim të bisedimeve dypalëshe, Presidenti Meta dhe Presidenti János Áder dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Presidenti i Republikës u shpreh: “Kam nderin dhe kënaqësinë që të zhvilloj një vizitë zyrtare në Budapest për të përuruar bustin e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut në kryeqytetin hungarez, si dhe përfitoj nga rasti të falënderoj edhe njëherë Presidentin Áder si dhe autoritetet vendore të Budapestit për mikpritjen e tyre të ngrohtë e shumë miqësore!
Konstatova me shumë kënaqësi interesin e përbashkët në rritje për ta thelluar bashkëpunimin dypalësh, si dhe dëshirën dhe vullnetin e përbashkët për ta forcuar atë gjithnjë e më shumë.
Marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë të shkëlqyera, dhe sa historike aq edhe tradicionale.
Ato janë zhvilluar dhe thelluar edhe më tej që nga shekulli i 15-të me bashkëpunimin dhe partneritetin strategjik mes heronjve tanë Gjergj Kastrioti dhe Janosh Huniadi, për të vazhduar më pas në kuadër të krijimit të shtetit modern shqiptar më 1912 e deri në kohët e sotme.
83 vite më parë, Shqipëria pati fatin e madh që të kishte për Mbretëreshë, konteshën hungareze Geraldine Appony, ose ndryshe të quajtur Trëndafili i Bardhë i Hungarisë.
Dhe vitin e ardhshëm ne do të kremtojmë me krenari dhe arritje 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, prandaj edhe takimi i sotëm me Presidentin Áder ma forcoi bindjen se ai përvjetor jubilar do të festohet me rezultate shumë pozitive.
Përfitova nga rasti që t’i shpreh homologut tim, Presidentit Áder, mirënjohjen e thellë të Shqipërisë e të shqiptarëve për mbështetjen që i kanë dhënë në kuadër të proceseve integruese në NATO dhe Bashkimin Europian.
Gjatë bisedimeve tona i kushtuam një vëmendje të veçantë bashkëpunimit dypalësh dhe atij në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian.
Vlerësuam se mundësitë e bashkëpunimit ekonomik janë ende të pashfrytëzuara aq sa duhet dhe se shkëmbimet tregtare, ekonomike dhe turistike janë ende larg mundësive të prekshme të të dyja vendeve.
Një vëmendje tepër të veçantë ua kushtuam çeljes sa më parë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
E falënderova Presidentin Áder dhe qeverinë hungareze për mbështetjen e vazhdueshme e të qartë, që na ka motivuar më shumë për të vijuar në rrugën e mundimshme të reformave.
Jam i bindur se Hungaria do të kontribuojë në arritjen e konsensusit të nevojshëm brenda Bashkimit Europian në këtë drejtim.
Hungaria është një vend fqinj i rajonit tonë dhe shumë e interesuar për stabilitetin dhe zhvillimin e tij dhe ne e vlerësojmë shumë rolin e saj në këtë drejtim.
Gjatë kësaj vizite zyrtare do të kem nderin të pritem në takim të veçantë edhe nga Kryeministri Orbán.
Jam i sigurt se edhe takimi me të do të jetë në të njëjtën frymë miqësie e bashkëpunimi.
Edhe njëherë, faleminderit i nderuar President Áder për mikpritjen e ngrohtë e miqësore, si dhe për mundësinë jashtëzakonisht të veçantë që më dhatë për të përuruar bustin e Heroit tonë Kombëtar dhe për të rifreskuar marrëdhëniet e shkëlqyera dhe historike mes dy vendeve dhe popujve tanë!”