4 Mars 2022 Presidenti Meta pritet në një takim nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Maltës, Sh.T.Z. Anglu Farrugia
Valletta, Maltë
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u prit sot në një takim në Parlamentin e Maltës, nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Sh.T.Z. Anglu Farrugia.
Presidenti Meta dhe Kryeparlamentari Farrugia vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe shprehën vullnetin për forcimin e mëtejshëm të tyre, në dobi të rritjes së shkëmbimeve në fushat me interes të ndërsjellë.
Presidenti Meta theksoi se bashkëpunimi ndërparlamentar, përmes krijimit të Grupeve të Miqësisë, është shumë i rëndësishëm, si në planin dypalësh ashtu edhe në atë mesdhetar.
Presidenti Meta shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vyer dhe të vazhdueshme që Malta i jep Shqipërisë në procesin e saj të integrimit në Bashkimin Europian.
Gjithashtu, Kreu i Shtetit theksoi se Malta mbetet një shembull i zhvillimit dhe progresit në shumë sektorë të rëndësishëm që duhen ndjekur edhe nga vendi ynë.