Presidenti Meta priti Ambasadorin e Republikës Arabe të Egjiptit, Sh.T.Z Mohamed Khalil me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Shqipëri

Presidenti Meta priti Ambasadorin e Republikës Arabe të Egjiptit, Sh.T.Z Mohamed Khalil me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Shqipëri

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti në takim Ambasadorin e Republikës Arabe të Egjiptit, Sh.T.Z Mohamed Khalil, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Shqipëri.

Duke e falenderuar Ambasadorin Khalil për punën e lavdërueshme që ka bërë për forcimin, në të gjitha aspektet, të marrëdhënieve shumë të mira historike që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Egjiptit, Kreu i Shtetit theksoi se ka ende potenciale të pashfrytëzuara për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve tona.

“Me Egjiptin kemi lidhje të veçanta historike e tradicionale dhe ne jemi krenarë për rolin e pazëvendësueshëm në formimin e shtetit të Egjiptit të shqiptarit të famshëm Mehmet Ali Pasha, si edhe për veprimtarinë e kontributin e patriotëve dhe atdhetarëve tanë të shquar të cilët krijuan në Egjipt vatrat e para të lëvizjes kombëtare shqiptare.

Shqipëria e konsideron Egjiptin një partner shumë të rëndësishëm në rajonin e Mesdheut dhe të Lindjes së Mesme, si dhe i kushton një rëndësi të madhe zgjerimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat me interes reciprok.

Shqipëria mund të jetë një portë hyrëse e produkteve dhe investimeve egjiptiane drejt Ballkanit, dhe në këtë aspekt forcimi dhe konkretizimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona është i mirëpritur”, – u shpreh Presidenti Meta.