12 Shtator 2018 Presidenti Meta priti Kryetarin e Bashkisë së Budapestit, István Tarlós
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti në një takim të veçantë, Kryetarin e Bashkisë së Budapestit, zotin István Tarlós.
Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera historike e tradicionale midis dy vendeve dhe përshëndeti vizitën e zotit Tarlós në Tiranë, e cila zhvillohet vetëm pak javë pas vizitës së tij zyrtare në Hungari.
Në kuadrin e bashkëpunimit të shkëlqyer midis dy vendeve, Presidenti Meta nënvizoi dhe bashkëpunimin shumë të mirë e të frytshëm midis bashkive të të dy kryeqyteteve, veçanërisht në fushën e menaxhimit të ujërave, si dhe në aplikimin e energjisë së rinovueshme dhe përdorimin e mjeteve të transportit publik, miqësore me ambientin.
Presidenti Meta shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen dhe lejen që Bashkia e Budapestit ka dhënë për vendosjen e një shtatoreje të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në një nga parqet qendrore të kryeqytetit te Hungarisë, krahas heroit kombëtar të Hungarisë, Janosh Hunidait.
Dy popujt tanë e kujtojnë me respekt e krenari legjitime bashkëpunimin dhe kontributin që, Skënderbeu dhe Huniadi, kanë dhënë për Evropën, – u shpreh Presidenti Meta.