4 Tetor 2018 Presidenti Meta priti Ministren e Jashtme të Austrisë, Karin Kneissl
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti në një takim të veçantë Ministren Federale të Austrisë për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme, zonjën Karin Kneissl.
Presidenti Meta përshëndeti vizitën e Ministres Kneissl në Tiranë dhe vlerësoi vëmendjen e mbështetjen e madhe që Austria, si mbajtëse e Presidencës së BE-së, po i jep integrimit evropian të Shqipërisë dhe çeljes në një periudhë sa më të afërt të negociatave të anëtarësimit.
Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera historike midis dy vendeve, si dhe shprehu mirënjohjen e thellë për rolin dhe mbështetjen e Austrisë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve që prej hedhjes së themeleve të shtetit modern shqiptar.
Duke u ndalur në bashkëpunimin dypalësh, Presidenti Meta vlerësoi angazhimin e përbashkët në kuadër të Vitit Kulturor Austri-Shqipëri 2018.
Motoja e këtij viti kulturor: “Të rizbulojmë të Përbashkëtat”; ka përcjellë një mesazh shumë të bukur dhe po ndihmon për ruajtjen dhe forcimin e mëtejshëm të lidhjeve të forta historike, miqësore e kulturore midis dy vendeve e dy popujve, – nënvizoi Presidenti Meta.
Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu praninë e kompanive të mirënjohura austriake, veçanërisht në sektorët energjetik, bankar e të sigurimeve, si dhe rolin e tyre në rritjen e besueshmërisë së tregut shqiptar tek investitorët e ndryshëm ndërkombëtarë.
Të dy bashkëbiseduesit i kushtuan një vëmendje të veçantë zhvillimeve më të fundit në rajon dhe të ardhmes së vendeve të tij në BE.