5 Qershor 2019 Presidenti Meta priti në një takim ambientalistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim përfaqësues të organizatave në mbrojtje të mjedisit, aktivistë të shoqërisë civile të drejtuar nga ambientalisti Sazan Guri dhe disa nxënës të shkollave të Tiranës me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit.
Pasi i falënderoi për vizitën, Presidenti Meta u shpreh se kemi një vend të bekuar me pasuri natyrore të jashtëzakonshme, por që për fatin e keq po shfrytëzohen e shkatërrohen në dëm të shëndetit dhe zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.
“Shqipëria është e bekuar me pasuri e bukuri natyrore të jashtëzakonshme dhe me një biodiversitet të larmishëm, që fatkeqësisht po shfrytëzohen dhe shkatërrohen egërsisht në dëm të shëndetit dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.
Triumfi i betonit mbi hapësirat e gjelbërta, keqmenaxhimi i mbetjeve urbane, masakrat në pyje e lumenj dhe ndotja e frikshme e ajrit, janë kambana alarmi që duhet të na zgjojnë të gjithëve. Asnjë justifikim nuk mund ta fshehë këtë realitet të dhimbshëm, që po e vuajmë të gjithë”, – tha Presidenti i Republikës, duke bërë njëkohësisht edhe një apel për të gjithë në Ditën Botërore të Mjedisit.
“Sot në Ditën Botërore të Mjedisit, apeli im është i qartë: Duhet t’i themi STOP shkatërrimit të mjedisit! Secili prej nesh dhe të gjithë së bashku duhet të kontribuojmë për të mbrojtur këtë dhuratë që na ka falur Zoti, pa të cilën vetë ekzistenca jonë dhe e gjeneratave të ardhshme është e pamundur”, – theksoi ndër të tjera Presidenti Meta.