20 Korrik 2018 Presidenti Meta priti në një takim z.Bejtush Gashi, Ministër i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim takim z. Bejtush Gashi, Ministër i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës.
Presidenti Meta shprehu kënaqësinë e veçantë për rekomandimin pozitiv që Komisioni Evropian, ka dhënë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, dhe pret me kënaqësi që edhe Parlamenti Evropian dhe Këshilli të miratojnë sa më parë këtë rekomandim, që qytetarët e Republikës së Kosovës më në fund të lëvizin të lirë në shtetet e Bashkimit Evropian.
Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi mes dy vendeve tona, por edhe shteteve të tjera të rajonit, në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, si dhe krijimin e një klime sa më të mirë dhe të sigurtë për të gjithë Rajonin tonë.
Presidenti Ilir Meta, në mënyrë të veçantë u interesua për bashkëpunimin mes dy shteteve tona në fushën e Emergjencave Civile dhe falënderoi Ministrin Gashi për angazhimin profesional të pjesëtarëve të Emergjencave Civile të Kosovës me rastin e fatkeqësive të ndryshme natyrore në vendin tonë, por edhe në rajon. “Bashkëpunimi në fushën e Emergjencave Civile, duhet të jetë prioritet i të gjithë neve, jo vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe me shtetet e tjera të rajonit”, theksoi Presidenti Meta.