Presidenti Meta priti në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Gjysmëhënës së Kuqe të Katarit, Ali Bin Hassan Al-Hammadi

Presidenti Meta priti në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Gjysmëhënës së Kuqe të Katarit, Ali Bin Hassan Al-Hammadi

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti në një takim të veçantë Sekretarin e Përgjithshëm të Gjysmëhënës së Kuqe të Katarit, Ambasador Ali Bin Hassan Al-Hammadi dhe delegacionin që e shoqëronte.

Presidenti Meta shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen dhe ndihmat financiare që Gjysmëhëna e Kuqe dhe Shteti i Katarit i kanë dhënë ndër vite Shqipërisë dhe shqiptarëve, veçanërisht qytetarëve të Kosovës, gjatë krizës së rëndë humanitare të vitit 1999.

Gjithashtu, Presidenti Meta vlerësoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes Gjysmëhënës së Kuqe të Katarit dhe Kryqit të Kuq Shqiptar, me qëllim përmirësimin e kushteve ekonomike e sociale të shtresave në nevojë në vendin tonë.

Duke e falënderuar me mirënjohje z. Al-Hammadi dhe organizatën humanitare që ai përfaqëson, Presidenti i Republikës vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetin e Katarit, si edhe shprehu domosdoshmërinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy popujve e vendeve tona.