30 Korrik 2019 Presidenti Meta shpall krijimin e Forumit “U’ jam Arbëresh!”
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta shpalosi sot nismën më të fundit të ndërmarrë nën kujdesin e Tij, krijimin e Forumit “U’ jam Arbëresh!”
Në një komunikim me mediat, Kreu i Shtetit sqaroi se:
“Jam sot para jush për t’ju njoftuar rreth punës së bërë deri tani nga ana ime si President i Republikës, për të formalizuar në fillim në shtatorit vendimin mbi ngritjen e Forumit ‘Unë jam Arbëresh’!
Referuar Nenit 3, 8, 59, 86 pika 1 dhe Nenit 92/h të Kushtetutës si dhe në frymën e ligjit nr. 27218 ‘Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë’ dhe ‘Ligjit për Diasporën’, me qëllim evidentimin, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore arbëreshe, pra: gjuha, traditat, foklori, ritet fetare si një prioritet me rëndësi kombëtare të jashtëzakonshme dhe pasuri e çmuar, e lashtë dhe unike e trashëgimisë kulturore botërore gjithashtu, kam vendosur ngritjen e Forumit ‘U’ jam Arbëresh!’ si një strukturë konsultative, bashkërenduese dhe promovuese në përbërje të së cilës mirëpritet kontributi i institucioneve si më poshtë:
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme;
Ministri i Shtetit për Diasporën;
Ministria e Kulturës;
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
Akademia e Studimeve Albanologjike;
Akademia e Shkencave;
Personalitete të shquara shqiptare të fushës;
Personalitete arbëreshe të fushës;
Shoqata dhe fondacione të ndryshme shqiptare dhe arbëreshe;
Unioni i Bashkive Arbëreshe në Itali;
Universiteti i Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji;
Katedrat e universiteteve shqiptare të studimeve albanologjike;
Katedrat italiane të studimit të gjuhës e kulturës shqipe.
Forumi ‘U’ jam Arbëresh!’ krijohet nga Presidenti i Republikës dhe funksionon nën kujdesin e Tij me qëllim promovimin, nxitjen dhe zhvillimin e veprimtarive si konferenca shkencore, veprimtari kulturore, artistike dhe sportive, takime ndërinstitucionale, promovimin e trashëgimisë dhe turizmit, nxitjen, ruajtjen, mësimin dhe përdorimin e gjuhës arbëreshe, forcimin e lidhjeve me shtetin amë, nxitjen e studimeve dhe kërkimeve shkencore në fushën e gjuhës dhe historisë arbëreshe, nxitjen dhe binjakëzimin mes bashkësive shqiptare dhe komunave arbëreshe në Itali, nxitjen dhe mobilitetin midis fëmijëve, nxënësve, studentëve në veçanti.
Çdo institucion, pjesë apo jo e kësaj nisme, individ, ent tjetër publik apo privat, është i mirëpritur të propozojë ide dhe veprimtari me qëllim arritjen e objektivave të këtij forumi.
Forumi ‘U’ jam Arbëresh!’ në mbledhjen e tij të parë do të zgjedhë anëtarë të Sekretariatit Ndihmës, që do të përbëhet nga 5 anëtarë të forumit. Ky sekretariat do të kryejë detyrat për organizimin dhe koordinimin e veprimtarive të iniciuara nga Institucioni i Presidentit të Republikës sipas kalendarit të veprimtarive të miratuara nga Forumi ‘U’ jam Arbëresh!’
Po kështu, dëshiroj të falënderoj për angazhimin e deritanishëm në çuarjen përpara të kësaj nisme: Profesor Nasho Jorgaqin, profesor Paskal Milon, profesor Neritan Cekën, profesor Tritan Shehun, profesor Shaban Sinanin, profesor Pëllumb Xhufin, profesorët e nderuar arbëreshë Francesco Altimari dhe Matteo Mandala. Po kështu edhe përfaqësuesit e shquar për dekada të arbëreshëve në Parlamentin dhe Senatin italian Mario Brunetti dhe Cesare Marinin, Aldo Marinon dhe shumë personalitete të tjera.
Por, ndërsa puna përgatitore për të kompletuar formalizimin e këtij vendimi do të vazhdojë edhe gjatë këtyre javëve, me vendimin përfundimtar do të njiheni në fillim të muajit shtator.
Krijimi i Forumit ‘U’ jam Arbëresh!’ është i një rëndësie të veçantë kombëtare për vetë kontributin e jashtëzakonshëm që arbëreshët kanë dhënë në shekuj për mbijetesën e kombit tonë dhe afirmimin e tij europian.”