9 Qershor 2018 Presidenti Meta shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri
Ndarja e parakohshme nga jeta e legjendës së futbollit të Kosovës është një lajm shokues për të gjithë shqiptarët që e kanë ndjekur e adhuruar shkëlqimin e talentit të tij si sulmues e golashënues i Prishtinës, por edhe i ekipeve të njohura evropiane të Partizanit, Beogradit, Fenerbahçes e madje edhe të përfaqesueses së ish-Jugosllavisë.
Fadil Vokrri me talentin dhe suksesin e tij frymëzoi shumë fëmijë shqiptarë kudo për të ecur në shembullin e tij. Me personalitetin e tij ndërkombëtar ndihmoi integrimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.
Pak ditë më parë pata kënaqësinë të firmosja dhënien e shtetësisë shqiptare për Fadil Vokrrin me kërkesë të F.Sh.F-së, për kontributin e tij të veçantë në mbështetje të futbollit tonë e sidomos ekipeve kombëtare.
Duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të Fadil Vokrrit, Federatës së Futbollit të Kosovës, mbare botës shqiptare të futbollit, jam i bindur se personaliteti i jashtëzakonshem që ai krijoi në fushën e blertë do vazhdojë të frymëzojë gjeneratat më të reja në rrugën e suksesit!