12 Dhjetor 2020 Presidenti Meta: Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të madh dhe të fortë, që duhet të vijë në radhë të parë nga të rinjtë
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta përshëndeti sot veprimtarinë ndërkombëtare “Ditë Leksionesh të Hapura – Platforma Today’s” me temë “Të rinjtë në aktualitetin politik”, të organizuar online nga Këshilli Rinor i Ballkanit, një organizatë rajonale, që punon me të rinjtë në fushën e arsimit, inovacionit, mjedisit dhe energjisë së rinovueshme.
Në ligjëratën e Tij, Kreu i Shtetit u ndal në sfidat dhe mundësitë e të rinjve, duke analizuar disa nga çështjet më shqetësuese, me të cilat përballet brezi i ri, si shpopullimi, plakja e popullsisë dhe dukuria shqetësuese e “rrjedhjes së trurit”, papunësia, pandemia COVID-19 dhe mbi të gjitha, pjesëmarrja e tyre në vendimmarrje dhe roli në aktualitetin politik.
Fjala e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta
“Unë kam qenë pjesë e Lëvizjes Studentore, që solli pluralizmin politik në Shqipëri. Sot, pas 30 vitesh kam një konkluzion: Në rast se ne, të rinjtë e asaj kohe, do të kishim pritur ndryshimin nga prindërit tanë, ky ndryshim nuk do të kishte ndodhur kurrë.
Ndryshimet gjithmonë i bëjnë të rinjtë.
I bëjnë në emër të ëndrrave të tyre, në emër të reagimit të fortë ndaj padrejtësive, dhe kjo ndodh vetëm kur ata marrin përgjegjësi dhe janë të bashkuar.
Ky është një mesazh që vlen në çdo kohë, e theksoj këtë sot, sepse mendoj që vendi ka nevojë për një ndryshim të madh dhe të fortë, dhe ky ndryshim prapë mund, dhe duhet të vij në radhë të parë nga të rinjtë.
Përse nga të rinjtë?
Sepse pas 30 vitesh shohim që ky sistem që kemi ndërtuar, apo deformuar ne, të gjithë së bashku, shtyp ëndrrat e të rinjve.
Ky sistem është bërë një pengesë për të ardhmen e të rinjve në vend dhe unë kam vite që flas, jo për migrimin, po flas për shpopullimin e Shqipërisë.
Shpopullimi i Shqipërisë nuk është një paranojë, por një realitet me fakte konkrete.
Po i referohem dy studimeve të profesor Rasell King, Drejtor i Qendrës Sussex-it, për studimet e migrimit në Britani të Madhe, dhe një studimi lokal të Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri të vitit 2020.
Në rast se nga Serbia për 1000 mijë banorë largohet 1 serb, nga Shqipëria largohen 12 shqiptarë, në rast se nga Bosnja largohet 1 boshnjak, nga Shqipëria largohen 18 shqiptarë, dhe në rast se nga Kosova largohet përsëri 1 qytetar i Kosovës nga Shqipëria largohen 4.
Po ta analizojmë me shumë qetësi këtë trend, nuk kemi të bëjmë me një migrim normal, që ndodh në kushtet e dëshirës për një eksperiencë, apo për një mundësi më të mirë. Por, është vërtet shpopullim, termi më i gjetur, që duhet adresuar me politika konkrete, jo thjesht me retorikë.
Këta janë të rinj të cilëve sistemi nuk ju jep mundësi dhe të cilët nuk dëgjohen.
Studimet e Fondacionit “Friedrich Ebert” apo të institucioneve të tjera, tregojnë qartë që ka një mospërputhje të madhe midis shkollës, apo formimit që ka bërë një i ri, edhe njohurive që i duhen për vendin e punës ku aktualisht mund të punojë.
Ka një deformim të madh midis mënyrës sesi ne i zhvillojmë politikat e arsimit, me kërkesat për tregun e punës pas përfundimit të arsimit profesional, apo të atij të lart, e kështu e radhë.
Të gjithë këto nuk janë adresuar në mënyrë të qartë, për një kohë të gjatë, jo thjeshtë për një apo dy vite. Prandaj jemi në një situatë të tillë, kur e vetmja zgjidhje që shumë të rinjtë shohin në kushtet emergjence, dhe ekonomike, edhe familjare, edhe personale është dhe largimi nga vendi jashtë dëshirës së tyre.
Këto tregues që unë po përmend, po t’i shohim të paktën në një plan më të gjerë përputhen edhe me disa faktor të tjerë, ose me disa vlerësime të tjera.
Për shembull, jemi vendi që është përkeqësuar më shumë se kudo tjetër klima e investimeve të huaja.
Po të shohim raportin e fundit të Bankës Botërore të “Doing Business”, për klimën e investimeve Shqipëria ka një përkeqësim shumë dramatik, vendi i 84 apo i 86, ndërkohë që Maqedonia e Veriut është vendi i 15 apo i 17, Kosova është vendi i 50, Serbia edhe vende të tjera janë në një pozicion më të mirë.
Çfarë do të thotë kjo ?
Do të thotë që vende të reja të punës në Shqipëri nuk janë hapur.
Tjetër, kemi një situatë dramatike, aktuale që vjen nga pandemia.
Nuk mund të fajësojmë qeverinë për pandeminë, sepse pandemia është një fenomen global. Por, është një fakt që të paktën 50 mijë veta, kryesisht të rinj, kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë.
Këtë e deklaroi zyrtarisht Banka e Shqipërisë.
Kjo do të thotë, që të gjithë këta të rinj apo një pjesë e mirë e tyre, janë nën presion për të ikur në rast se nuk do të gjejnë një mbështetje, një mundësi, ose të kenë një shpresë për të ruajtur vendin e punës.
Jemi vendi që kemi mbështetur më pak se çdo vend tjetër në rajon, jo vetëm sektorin e shëndetësisë për të përballuar pandeminë në rritjen e shpenzimeve, por njëkohësisht jemi edhe vendi që kemi mbështetur më pak se kushdo tjetër edhe biznesin. Sidomos ato biznese të cilat preken më shpejt nga një krizë e tillë e shëndetit publik.
Duhet të reflektojmë me politika konkrete, që i ndihmojnë të rinjtë dhe qytetarët të ruajnë vendet e punës, të kualifikohen dhe të kenë mundësi të tjera.
Natyrisht kjo nuk mund të ndodhë pa një vendimmarrje, pa një pjesëmarrje të të rinjve në jetën politike, shoqërore, në mënyrë shumë më aktive se sa deri më sot.
Nevojitet një pjesëmarrje e tyre në vendimmarrje, në forumet kryesore ku diskutohet çdo gjë, nga Parlamenti tek këshillat të pushtetit vendor, sepse ato kanë përgjegjësitë e tyre për problemet e të rinjve në komunitet apo në Bashki, e kështu me radhë, në mënyrë që ata të rrisin presionin e tyre dhe njëkohësisht edhe zëri i tyre të dëgjohet”.