
6 Nëntor 2021 Presidenti Meta takohet me qytetarët dhe autoritetet vendore të Santa Cristina Gela: Duhet përkushtim nga autoritetet e të dy vendeve tona për mbrojtjen e trashëgimisë arbëreshe dhe forcimin e lidhjes së të rinjve me zonat e tyre, për të ndalur fenomenin e shpopullimit
Santa Cristina Gela, Itali
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Iir Meta, në kuadër të vizitës së Tij zyrtare në komunat arbëreshe në Rajonin e Siçilisë, u ndal në Santa Cristina Gela, bashkësinë më të vogël dhe më të re arbëreshe, të themeluar nga banorët e Piana degli Albanesi.
Kreu i Shtetit, pasi u mirëprit ngrohtësisht nga qytetarët dhe autoritetet vendore, që kishin dalë për ta përshëndetur në sheshin qendror të Bashkisë, u takua me Kryebashkiakun, zotin Giuseppe Cangialosi.
Gjatë takimit, Presidenti Meta vuri në dukje se ndihej i privilegjuar të vizitonte këtë bashkësi arbëreshe ku ka pasardhës të familjeve fisnike shqiptare dhe mbartës të identitetit unik arbëresh që kanë ruajtur figurën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, kulturën, gjuhën, ritet fetare, veshjet tradicionale dhe zakonet arbëreshe.
“Arbëreshët janë bijtë e Arbërisë dhe pasardhësit e Gjergj Kastriotit dhe ishin nismëtarët e Rilindjes Kombëtare në Shqipëri, me idetë iluministe dhe me pasionin për arsimin dhe kulturën europiane.
Prandaj ju jeni një pasuri e çmuar e trashëgimisë europiane e botërore dhe shërbeni si një urë lidhëse e cila nuk është rrëzuar kurrë midis Shqipërisë dhe Italisë, e miqësisë së ngushtë midis popujve tanë.” – theksoi Presidenti Meta.
“Duhet përkushtim nga të gjitha autoritetet e dy vendeve tona për mbrojtjen e gjuhës arbëreshe, gjuhës së Gjergj Kastriotit, e cila rrezikon të asimilohet nëse nuk u mësohet brezave të rinj.
Gjithashtu nevojitet një punë e madhe për të arritur regjistrimin e trashëgimisë arbëreshe në UNESCO.
Për më tepër, na duhet përkushtim për edukimin e brezave të rinj me historinë dhe gjuhën e të parëve tanë, dhe në veçanti për ndalimin e shpopullimit, një fenomen tragjik që ka prekur shoqërinë dhe të dyja vendet tona.” – u shpreh Presidenti Meta.