3 Tetor 2018 Presidenti Meta takon Kryetarin e Grupit të Miqësisë Shqipëri-SHBA në Senatin Amerikan, Senatorin Gary Peters
Uashington D.C, SHBA
Kryetari i Grupit të Miqësisë me Shqipërinë në Senatin Amerikan, Senatori Demokrat Gary Peters, priti në takim Presidentin e Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta.
Presidenti Meta e falënderoi Senatorin Peters për lidershipin e tij në Senatin e SHBA në dobi të forcimit të miqësisë me Shqipërinë dhe për mbështetjen e tij për komunitetin shqiptar në shtetin e Michighan-it.
Presidenti Meta kërkoi mbështetjen e Senatorit Peters për marrëveshjen e heqjes së taksimit të dyfishtë midis dy vendeve, që do të sillte lehtësira në fushën e tregëtisë dhe investimeve.
Senatori Peters shprehu kënaqësinë për takimin me Presidentin Meta dhe njëkohësisht angazhimin për të kontribuuar në rritjen e vëmendjes në Senatin e SHBA për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona.