Presidenti Meta: Të mos lejojmë kurrë asnjë sistem totalitar të instalohet në Shqipëri, në të gjitha format e tij

Presidenti Meta: Të mos lejojmë kurrë asnjë sistem totalitar të instalohet në Shqipëri, në të gjitha format e tij

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi sot, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Forcë, me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile” vëllezërit Bujar, Ylber, Halit dhe Seit Petrela, si dhe Shqipjon Topullin (pas vdekjes).

Në një ceremoni të veçantë të organizuar në Institucionin e Kreut të Shtetit, ku merrnin pjesë Kryetarja e Autoritetit për Informimin e Dosjeve të Sigurimit, znj. Gentjana Sula, Kryetari i Shoqatës Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë, z. Nebil Çika, ish-të persekutuar e përfaqësues të familjeve Petrela e Topulli, Presidenti Meta theksoi ndër të tjera se: “Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve me Forcë është një mundësi për të ngritur zërin për viktimat e zhdukur gjatë regjimeve totalitare, por edhe për ato viktima të zhdukur gjatë ditëve të sotme kudo në botë”.

Gjithashtu, Presidenti Meta u shpreh se “Një ditë si kjo, na kujton se ne duhet të jemi edhe më shumë të bindur për një rrugëtim më të shpejtë dhe solid drejt Bashkimit Europian dhe forcimit të demokracisë, duke mos lejuar më kurrë asnjë sistem totalitar të instalohet në Shqipëri, në të gjitha format e tij.

Që të mos kthehemi 30 vite pas, si në kohët e errëta të dhunimit dhe shtypjes së popullit shqiptar, por të ecim përpara denjësisht si qytetarë të lirë europianë dhe me dinjitetin njerëzor që meriton çdo njeri i këtij vendi”.

Fjala e Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta:

“Jemi mbledhur sot së bashku, në këtë ditë me shumë kuptim për pjesëmarrësit e pranishëm në këtë sallë, por edhe për të gjithë ne: Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve me Forcë.

Është gjithmonë e dhimbshme kur kujtojmë historitë dhe ngjarjet që bota jonë ka kaluar, jo vetëm gjatë luftërave, por edhe gjatë kohës së regjimeve totalitare.

Ato kanë shkaktuar për një kohë shumë të gjatë dhunim të dinjitetit njerëzor, shkelje të të drejtave thelbësore të njeriut, dhimbje e lot për mijëra familjarë e të afërm të viktimave.

Kujtimi i së kaluarës, sado e hidhur qoftë ajo, është detyrë e secilit prej nesh.

Kjo për faktin se kemi detyrimin t’i kujtojmë dhe respektojmë të gjitha viktimat dhe të zhdukurit e regjimeve totalitare, dhe po ashtu, për të mos lejuar që ato të përsëriten, dhe të ndodhë ajo që, siç e ka thënë filozofi Edmund Burke: “Ata që nuk e njohin historinë, janë të dënuar ta përsërisin atë”.

Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve me Forcë është një mundësi për të ngritur zërin për viktimat e zhdukur gjatë regjimeve totalitare, por edhe për ato viktima të zhdukur gjatë ditëve të sotme kudo në botë.

Zhdukja është përdorur dhe fatkeqësisht vazhdon të përdoret si mjet shtypjeje ndaj kundërshtarëve politikë.

Duke i zhdukur me forcë kundërshtarët e tyre politikë, regjimet totalitare kanë mbjellë terror dhe kanë krijuar pasiguri të përgjithshme, jo vetëm për familjarët e të zhdukurve, por për tërë shoqërinë në përgjithësi.

Sot, në këtë ditë, ne nderojmë djemtë e një familjeje, që kanë kaluar kalvarin e tmerrshëm të vdekjes dhe varrosjes së prindërve të tyre, nga regjimi komunist, në fshehtësi dhe pa asnjë shenjë identifikimi.

Njëkohësisht nderojmë edhe shumë të tjerë, që u janë zhdukur prindërit, bijtë apo të afërmit pas pushkatimeve, dhe ende sot, nuk i kanë gjetur eshtrat e tyre dhe nuk kanë mundësi t’u ngrenë një vend prehjeje e paqeje të përjetshme.

Historia e djemve të familjes Petrela: Bujarit, Ylberit, Halilit dhe Seitit mbart tragjedinë e qindra familjeve të deklaruara ‘armike të popullit’ nga regjimi komunist: burgosje, internim, vdekje, varre pa emër e pa vendndodhje, familje të ndara që nuk dinin fatin e të afërmve të tyre.

Është e dhimbshme të mendosh 4 fëmijë të vegjël nga 1 deri në 11 vjeç, siç kanë qenë vëllezërit Petrela, të gjendur jetim dhe të internuar në kampin famëkeq të Tepelenës.

Fatkeqësisht, prindërit e tyre, Fadil dhe Xhuma vdiqën rrugës për në kampin e Tepelenës në aksident automobilistik, duke u varrosur pa një varr e pa një emër mbi të. Ndërkohë që halla e tyre, 24-vjeçare, u traumatizua nga tragjedia dhe gjyshja e tyre u dëmtua rëndë në shtyllën kurrizore.

Kalvari i tyre ka qenë i gjatë edhe pas kthimit në kryeqytet, ku me damkën e ‘armiqve të popullit’ nuk mund të qëndronin në shtëpinë e tyre, por u duhej të rriteshin në dyert e familjarëve që ndjenin dhembshuri për këta 4 jetimë, duke jetuar edhe 13 veta në një dhomë.

Por dhimbja më e madhe ka qenë për ta, fakti që nuk mund t’u ofronin një vend prehjeje të përjetshëm e të denjë prindërve të tyre të vdekur. Edhe pse dinin me afërsi vendin e varrosjes së tyre, për regjimin, prindërit e tyre ishin të zhdukur dhe armiq të popullit, e si të tillë nuk e meritonin një vend prehjeje.

Por dinjiteti njerëzor, humanizmi, dashuria janë elementët thelbësor në këtë histori njerëzore të dhimbshme.

Sot, ne nderojmë jo vetëm vëllezërit Petrela, për humanizmin dhe vendosmërinë e tyre për të nderuar prindërit, duke i marrë në fshehtësi eshtrat e tyre dhe duke i ruajtur për shumë kohë në shtëpi.

Njëkohësisht, ne nderojmë e përulemi përpara aktit fisnik të një fshatari të panjohur ende edhe sot, që përmbushi një amanet dhe njoftoi vëllezërit Petrela, në mes të natës, se vendi ku prindërit e tyre ishin varrosur do të shpyllëzohej dhe ata nuk do të kishin më kurrë mundësi t’i gjenin eshtrat e tyre.

Ne përulemi dhe nderojmë aktet fisnike të miqve të vëllezërve Petrela, që i ndihmuan ata, së pari, duke ruajtur në shtëpitë e tyre eshtrat e prindërve e më pas duke i ndihmuar t’i varrosnin pa bujë e zhurmë.

Madhështia e veprimeve, të të gjithë njerëzve të përfshirë në këtë histori të dhimbshme, qëndron në faktin që ata vendosën veten në rrezik në një kapitull shumë të errët e të rrezikshëm të historisë sonë.

Asnjëri prej tyre nuk ka menduar që do të vinte një ditë që humanizmi, vendosmëria dhe dinjiteti i tyre njerëzor do të vlerësoheshin.

Titujt dhe dekoratat janë vlerësimet më minimale për t’u shprehur atyre mirënjohjen, mirëkuptimin dhe mbështetjen tonë dhe njëkohësisht, për të njohur vuajtjet që ata kanë kaluar.

Vëllezërit Petrela, ashtu si miqtë e të panjohurit që i kanë ndihmuar, kanë treguar me veprimet e tyre se fisnikëria, humanizmi, dinjiteti janë vënë përballë dhe në fund kanë sfiduar e fituar mbi shfytyrimin e depersonalizimin që, fatkeqësisht, sjellin sistemet totalitare.

Për merita të veçanta civile, ata janë e do të vazhdojnë të mbeten shembuj frymëzues për brezat e ardhshëm të vendit.

Një ditë si kjo, na kujton se ne duhet të jemi edhe më shumë të bindur për një rrugëtim më të shpejtë dhe solid drejt Bashkimit Europian dhe forcimit të demokracisë, duke mos lejuar më kurrë asnjë sistem totalitar të instalohet në Shqipëri, në të gjitha format e tij.

Që të mos kthehemi 30 vite pas, si në kohët e errëta të dhunimit dhe shtypjes së popullit shqiptar, por të ecim përpara denjësisht si qytetarë të lirë europianë dhe me dinjitetin njerëzor që meriton çdo njeri i këtij vendi.

Nderim përjetë të gjithë viktimave të zhdukur me forcë, të gjithë disidentëve dhe të gjithë ish-të përndjekurve politikë të Shqipërisë!

Rroftë Shqipëria Europiane!”