27 Mars 2019 Presidenti Meta uron pianisten e talentuar nga Durrësi, Kristel Karagjozi
Presidenti Meta uron pianisten e talentuar nga Durrësi, Kristel Karagjozi: Shumë krenar për të dhe për të gjithë fëmijët e talentuar shqiptarë në Shqipëri dhe kudo në botë! Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti në një takim pianisten e talentuar 13-vjeçare nga Durrësi, Kristel Karagjozi, me të cilën zhvilloi një takim të ngrohtë dhe miqësor. Presidenti i Republikës e uroi Kristelin për fitimin e çmimit “Grand Prix” dhe çmimin special të jurisë në Festivalin e 11-të “Young Pianist” në Kosovë, duke e përgëzuar për ftesën që ajo ka marrë për të luajtur së bashku me Filarmoninë e Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit polak Makowski, më 30 mars, në veprimtarinë e përvitshme ndërkombëtare të muzikës klasike “Dam Festival” të Prishtinës. Presidenti Meta vuri në dukje kënaqësinë që takon një pianiste në moshë kaq të re, por tepër të talentuar: “Kristel është një shembull për ata qindra e mijëra vajza e djem që studiojnë me pasion e përkushtim jo vetëm në fushën e muzikës, por në të gjitha fushat e artit. Ne ndihemi krenar për ta dhe për shembullin që ata japin për të gjithë bashkëmoshatarët e tyre.” “Të arrish aty ku ka arritur Kristel: të luajë me Filarmoninë e Kosovës nën drejtimin e një dirigjenti të huaj, duhet jo vetëm talent, por edhe shumë punë, sakrifica e përkushtim, duhen orë të gjata studimi e përgatitje. Përveç falënderimit për fëmijë si Kristel, të cilë kanë talent, por edhe pasion e vullnet, një falenderim i madh iu shkon edhe prindërve e mësuesve të këtyre fëmijëvë të talentuar, që i mbështesin dhe iu dedikohen gjatë gjithë kohës. Dëshiroj t’i uroj Kristelit të vogël shumë suksese në koncertin e saj të ditës së shtunë me Filarmoninë e Kosovës dhe t’i them që jemi pranë saj, që e mbështesim dhe që jemi shumë krenar për të dhe për të gjithë fëmijët e talentuar shqiptarë në Shqipëri dhe kudo në botë!”, – theksoi Presidenti i Republikës.]]>