Presidenti Meta uron Presidentin Frank-Walter Steinmeier me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë

Presidenti Meta uron Presidentin Frank-Walter Steinmeier me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë

I nderuar zoti President,

Me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, kam kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, të përcjell urimet e mia më të ngrohta e të sinqerta për Ju dhe popullin mik gjerman.

Në këtë ditë të veçantë dhe të rëndësishme për vendin dhe popullin Tuaj, me shumë gëzim dëshiroj të vlerësoj miqësinë e thellë e të sinqertë si dhe bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston ndërmjet dy vendeve e dy popujve tanë.

Vendi im mbetet thellësisht mirënjohës për mbështetjen e sinqertë dhe avokatinë e drejtpërdrejtë të Gjermanisë, si për vazhdimësinë gjeo-strategjike të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe për kapërcimin e vështirësive në procesin e hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Dëshiroj t’Ju falënderoj, Zoti President, edhe për mbështetjen që vendi Juaj, përmes Procesit të rëndësishëm të Berlinit, hapi një perspektivë të qartë politike dhe ekonomike integruese në Bashkimin Evropian për të gjitha vendet e rajonit tonë dhe t’Ju siguroj se ky proces jetik për të gjithë ne, mbetet rruga më e qartë e më e sigurt për integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në familjen dhe vlerat evropiane.

Nënvizoj, në këto çaste të rëndësishme për të gjithë rajonin tonë, se do të vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyer mes vendeve tona, si dy vende anëtare të NATO-s, për çështjet e sigurisë rajonale, në dobi një rajoni të paqtë, të begatë dhe të integruar në Bashkimin Evropian.

Së bashku me urimet më të mira për Ju, si dhe për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të Gjermanisë, ju lutem, pranoni zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Ilir Meta