3 Tetor 2020 Presidenti Meta uron Presidentin Frank-Walter Steinmeier me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë
I nderuar zoti President,
Më lejoni që me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, të shpreh në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet më të ngrohta e të përzemërta për Ju dhe popullin mik gjerman.
Në këtë jubile të rëndësishëm të 30 vjetorit të bashkimit të Gjermanisë, kam kënaqësinë e veçantë të vlerësoj bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston ndërmjet dy vendeve tona, si dhe ndjenjat e thella të miqësisë ndërmjet dy popujve tanë.
Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për qasjen strategjike të Gjermanisë në mbështetje të zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Evropian drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe kontributin e saj thelbësor në vendimin politik të këtij viti të Këshillit Evropian për të hapur negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë.
Mbështetja e drejtpërdrejtë dhe e sinqertë e Gjermanisë mike është mirëpritur nga mbarë populli shqiptar.
Ju siguroj në vullnetin tim të palëkundur për të nxitur të gjithë aktorët institucionalë të vendit të vijojnë pandalur me reformat dhe plotësimin e kushteve që do të mundësojnë avancimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Bashkë me urimet më të mira për Ju, si dhe për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të Gjermanisë, ju lutem, pranoni zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Ilir Meta