Presidenti Meta uron Presidentin Pendarovski për aprovimin nga Senati Spanjoll, të Protokollit të Anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO

Presidenti Meta uron Presidentin Pendarovski për aprovimin nga Senati Spanjoll, të Protokollit të Anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO

I nderuar Zoti President,

Më kënaqësi mësova lajmin se këtë mëngjes Senati Spanjoll, votoi aprovimin e Protokollit të Anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, që u nënshkrua menjëherë nga Mbreti Felipe, duke i hapur rrugë anëtarësimit të vendit tuaj në NATO.

Ky është një lajm i gëzueshëm për të gjithe ne sepse anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO i shërben forcimit të sigurisë, stabilitetit e paqes jo vetëm në rajonin tonë.

Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që e ka miratuar këtë Protokoll, si dhe ka qenë gjithnjë mbështetëse e palëkundur e rrugëtimit tuaj në NATO. Ky është një kurorëzim i arritjeve tuaja të padiskutueshme drejt standarteve të kërkuara nga Aleanca, si dhe e përpjekjeve të përbashkëta, edhe në kuadër të Kartës së Adriatikut, ku vendet tona mbështetën dhe ndihmuan reciprokisht njëra-tjetrën.

Shpreh bindjen se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si dy vende fqinje, aleatë në NATO, dhe me vizione të përbashkëta europiane dhe euro-atlantike, do të forcojnë edhe më shumë bashkëpunimin e kontributin në dobi të forcimit të mëtejshëm të sigurisë kolektive.

Duke Ju uruar edhe një herë për këtë ngjarje të shënuar, Ju lutem pranoni, Shkëlqesia Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!

Ilir Meta