22 Nëntor 2021 Presidenti Meta uron Sh.T.Z. Rumen Radev me rastin e rizgjedhjes President i Republikës së Bullgarisë
I nderuar Zoti President,
Rizgjedhja Juaj si President i Bullgarisë, më jep kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe emrin tim personal, t’Ju përcjell urimet më të ngrohta e të sinqerta për përmbushjen me sukses të misionit Tuaj në drejtimin e Republikës së Bullgarisë.
Shpreh besimin se gjatë mandatit Tuaj të ri, marrëdhëniet shumë miqësore e tradicionale të bashkëpunimit, dypalësh dhe shumëpalësh, midis dy vendeve e dy popujve tanë miq do të zhvillohen e pasurohen edhe më tej në të ardhmen.
Jam i bindur se falë vullnetit, vizionit dhe vlerave të përbashkëta euroatlantike marrëdhëniet e miqësisë dhe të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Bullgarisë, jo vetëm ato politike, do të fitojnë një dinamikë të re, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik, turizmit, kulturës, arsimit dhe zhvillimit infrastrukturor.
Sot, si asnjëherë tjetër, adresimi i sfidave me të cilat shoqëritë tona po përballen, kërkon një bashkëpunim edhe më të ngushtë mes vendeve tona në rajonin e Evropës dhe më gjerë, sidomos në kuadër të partneritetin të NATO-s.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, e njëkohësisht të shpreh bindjen se rizgjedhja Juaj si President i Bullgarisë do të nxisë edhe më shumë mbështetjen bullgare për vendet kandidate të rajonit tonë në këtë proces të rëndësishëm, si në planin strategjik, ashtu edhe në atë të stabilitetit rajonal.
Së bashku me urimet e mia të sinqerta për rizgjedhjen Tuaj si President i Republikës së Bullgarisë, dhe urimet e mia më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj dhe për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të Bullgarisë, Ju lutem pranoni Shkëlqesi, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Ilir Meta