11 Korrik 2019 Presidenti Meta: I vetmi ilaç që shëron vendin nga kjo krizë e thellë përfaqësimi dhe legjitimiteti është vetëm respektimi i votës së lirë dhe direkte të të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe pranimi i verdiktit të tyre final nga të gjithe ne.
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta priti sot dhe zhvilloi një takim të përzemërt me delegacionin e Komitetit Hebreo-Amerikan (American Jeëish Committee) me qendër në Nju-Jork, të kryesuar nga Drejtori i tij Ekzekutiv, zoti David Harris.
Presidenti Meta e njohu delegacionin zyrtar të AJC-së me situatën aktuale në Shqipëri, krizën e rëndë kushtetuese dhe institucionale që ka përfshirë vendin, si dhe me propozimin e tij si President i Republikës për zgjidhjen e saj nëpërmjet zhvillimit të tri palë zgjedhjeve më 13 tetor 2019: zgjedhjeve vendore, parlamentare dhe të Presidentit nga populli.
“I vetmi ilaç që shëron vendin nga kjo krizë e thellë përfaqësimi dhe legjitimiteti është vetëm respektimi i votës së lirë dhe direkte të të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe pranimi i verdiktit të tyre final nga të gjithe ne”, – u shpreh Kreu i Shtetit.
Gjithashtu Presidenti Meta e siguroi zotin Harris dhe delegacionin që e shoqëronte se miqësia mes shqiptarëve dhe komunitetit hebreo-amerikan do të vazhdojë të forcohet, dhe se bashkëpunimi ekonomik duhet të intesifikohet më tej.
Nga ana e tij, zoti Harris theksoi se: “Miqësia tradicionale e Shqipërisë dhe e kombit hebre është e skalitur në kujtesën tonë kombëtare jo vetëm për rolin fisnik të shqiptarëve në shpëtimin, mbrojtjen dhe strehimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, por dhe për historitë tona të ngjashme si dy popuj që kanë vuajtur përgjatë shekujve të ekzistencës së tyre”.
“Ne vijmë këtu me ndjenjën e mirënjohjes së përhershme për popullin shqiptar, dhe do të jemi përjetësisht së bashku për të përballuar sfidat edhe në të ardhmen. Jemi gjithashtu të gatshëm të ofrojmë mbështjen tonë për të rritur rolin e diasporës shqiptare në SHBA, me qëllim që të ndikojmë për çështjen shqiptare në politikën dhe administratën amerikane.” – u shpreh Drejtori Ekzekutiv i AJC-së.