Presidenti Meta viziton disa familje në Krujë, të prekura rëndë nga tërmeti: Ndjekja e verifikimeve të para është e domosdoshme për zgjidhje të sigurta!

Presidenti Meta viziton disa familje në Krujë, të prekura rëndë nga tërmeti: Ndjekja e verifikimeve të para është e domosdoshme për zgjidhje të sigurta!

Krujë

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vizitoi sot disa familje në Krujë, të cilët janë prekur rëndë nga tërmeti i fuqishëm që goditi vendin më 26 nëntor 2019.

Fillimisht Presidenti Meta ndaloi në kalanë e Krujës, duke u interesuar për mjediset e saj muzeale, dhe veçanërisht për gjendjen e objekteve historike dhe kulturore si Kulla e Kambanës dhe Teqeja e Dollmës.

Presidenti i Republikës u takua me banorët dhe familjet e lagjeve Varosh dhe Hoxhë, të prekur nga fatkeqësia natyrore duke parë nga afër  dëmtimet e shtëpive të tyre, u interesua për problemet me të cilat përballen, si dhe për nevojat urgjente në këtë situatë emergjence.

Më pas Presidenti i Republikës vizitoi dhe fshatin Hasanaj ku takoi banorët, të cilëve tërmeti u shkatërroi banesat.

Në një prononcim të shkurtër për mediat, Presidenti Meta vuri në dukje se:

“Vizitova sot Kalanë e Krujës, kurorën e krenarisë së trashëgimisë tonë kombëtare, të dëmtuar nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit.

Veçanërisht Kulla e Kambanës dhe Teqeja e Dollmës, dy nga monumentet unike dhe mjaft të rëndësishme të Kalasë, kanë pësuar dëmtime shumë të rënda, për të cilat duhen marrë masa të menjëhershme për t’u riparuar dhe mbrojtur, për vetë simbolikën e fortë kulturore e kombëtare që përfaqësojnë. Puna e nisur duhet të ndiqet me përgjegjësi maksimale deri në fund!

Gjithashtu, sot vizitova edhe shtëpitë e disa familjeve në fshatin Hasanaj, të dëmtuara rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit. Ndjekja e verifikimeve të para është e domosdoshme për zgjidhje të sigurta!”, u shpreh ndër të tjera Presidenti Meta.