7 Nëntor 2018 Presidenti Meta viziton Komunën e Lungros, ku u mikprit nga Ipeshkvi Donato Oliverio dhe autoritetet vendore të Akuaformozës
Acquaformosa, Komuna e Lungros, Itali
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, në kuadër të vizitës zyrtare në Kalabri u takua me Ipeshkvin e Eparhias së Ungrës (Eparkia e Lungros), Hirësinë e Tij Donato Oliverio si dhe me autoritetet vendore e përfaqësues të bashkësisë arbëreshe, të cilët organizuan një pritje madhështore me shumë emocione, festime, këngë dhe valltarë të veshur me kostume tradicionale arbëreshe.
Gjatë takimit të ngrohtë që zhvilloi me udhëheqësit fetarë të Eparhias së Ungrës, Presidenti Meta mirëpriti me kënaqësi propozimin e tyre për krijimin e një Këshilli që do të punojë për ruajtjen e zakoneve, tipareve dhe riteve identitare arbëreshe, duke premtuar mbështetjen personale e institucionale, sidomos në këtë Vit Mbarëkombëtar të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
“Arbëreshët janë një pasuri e vyer, madje edhe ndërkombëtare, sepse ata ruajtën të paprekur zakonet, ritet, traditat, kulturën dhe gjuhën e kohës së madhe historike të Arbërit. Pa arbëreshët nuk do të kishte Rilindje Kombëtare shqiptare, madje as Shqipëria, dhe as Kosova nuk do të ekzistonin sot e kësaj dite.” – vuri në dukje Presidenti i Republikës.
Më pas Kreu i Shtetit mori pjesë në meshën e shenjtë përkujtimore të mbajtur në Katedralen e Lungros për nder dhe në kujtim të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Duke iu drejtuar besimtarëve dhe të pranishmëve të shumtë, ai theksoi se: “Është një nder i jashtëzakonshëm të marr pjesë në këtë meshë përshpirtjeje dhe bekimit të kujtimit e frymës së Gjergj Kastriotit, i cili jo vetëm përcaktoi identitetin europian të shqiptarëve, por ishte dhe do të jetë shqiptari më i gjallë ndër të gjithë shqiptarët.
“Gjergj Kastrioti Skënderbeu jo vetëm i bashkoi shqiptarët, por me të krenohej mbarë Europa. Ai i frymëzoi shqiptarët gjatë Rilindjes Kombëtare për të kurorëzuar shpalljen e Pavarësisë në vitin 1912. Me shembullin e frymën e tij, shqiptarët u ndjenë edhe më europianë.” – nënvizoi Presidenti Meta.
Gjatë kësaj meshe të përshpirtshme Presidenti i Republikës vlerësoi Imzot Donato Oliverio me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Me mirënjohje të thellë për veprimtarinë e çmuar dhe të pakursyer në mbështetje të bashkësisë arbëreshe në Itali. Për përpjekjet e tij të pareshtura në ruajtje dhe përcjellje të riteve dhe të traditave kishtare në gjuhën arbëreshe”.