Presidenti Meta viziton Lezhën në kuadër të kauzës për dhurimin e gjakut: Shembull i shkëlqyer i solidaritetit njerëzor

Presidenti Meta viziton Lezhën në kuadër të kauzës për dhurimin e gjakut: Shembull i shkëlqyer i solidaritetit njerëzor

Lezhë

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vizitoi sot Lezhën në kuadër të nismës së ndërmarrë së bashku me “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”.

Presidenti Meta shprehu kënaqësinë lidhur me seancën e dhurimit të gjakut dhe falënderoi qytetarët e Lezhës, të cilët iu përgjigjën vullnetarisht dhe me një ndjenjë të lartë humanizmi dhe solidariteti thirrjes së Aleancës.

“Dua të falënderoj kryetarin e Bashkisë së Lezhës, zotin Fran Frrokaj për këtë organizim të shkëlqyer, në përgjigje të kërkesës sonë për të organizuar këtë seancë dhurimi gjaku, pasi muajt janar dhe shkurt janë muaj të vështirë, kur rritet kërkesa për gjak.

Kështu që duhet rritur edhe kontributi për dhurimin e gjakut dhe unë besoj se përmes këtij angazhimi e kësaj pjesëmarrjeje, edhe mjaft qytetare, Lezha jep një shembull mjaft të shkëlqyer të solidaritetit njerëzor.

Jam i sigurt që në mënyrë mjaft bashkëpunuese ne do të bëjmë të mundur që asnjë qytetari të mos i mungojë gjak, jo vetëm në këtë periudhë kritike, por edhe në vazhdimësi.” – theksoi Presidenti Meta.

Kryebashkiaku Frrokaj, duke vënë në dukje se ky është një aksionet më humanitare, falënderoi Presidenti Meta për këtë nismë dhe ftoi edhe institucionet e tjera që t’i bashkohen kësaj kauze.