
8 Prill 2018 Presidenti Meta u uron gjithë besimtarëve ortodoksë Festën e Pashkëve: U uroj të gjithëve mbarësi, mirësi dhe më shumë dashuri midis shqiptarëve.
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vizitoi Qendrën Sinodike të Katedrales Ortodokse “Ringjallja e Krishtit” ku u prit nga Fortlumturia e Tij, Kryepeshkop Anastasi.
Presidenti Meta i përcolli personalisht Fortlumturisë Tij, Kryepiskopit Anastas urimet e përzemërta dhe më të mira për gjithë besimtarët e krishterë me rastin e Festës së shenjtë të Pashkëve ortodokse.
Pas vizitës Presidenti Meta u shpreh për median: “Në këtë ditë mjaft të rëndësishme të këtij mesazhi të jashtëzakonshëm në emër të dashurisë për jetën, për njerëzit, të ngjalljes së Krishtit, të besimit se e mira gjithmonë do të triumfojë, u uroj të gjithëve mbarësi, u uroj të gjithëve mirësi, u uroj më shumë dashuri midis shqiptarëve dhe jam besimplotë se duke e shpërndarë këtë mesazh, se nuk ka gjë më të rëndësishme në botë se sa dashuria, sa dashuria për jetën, sa dashuria për njerëzit, jam i sigurt se të gjithë do të marrim forcën e duhur për të përballuar sfidat dhe vështirësitë në një mënyrë edhe më optimiste, edhe më të bashkuar”.