17 Korrik 2021 Presidenti Meta vlerësohet nga Federata Ndërkombëtare e Organizatave të Dhuruesve të Gjakut me “Urdhrin për Merita Ndërkombëtare të Dhurimit të Gjakut” në përvjetorin e tretë të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”: Të nxisim vullnetarizmin dhe solidaritetin me kauzën fisnike dhe humane të dhurimit të gjakut.
Nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u organizua sot një ceremoni solemne me rastin e 3-vjetorit të themelimit të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”, gjatë së cilës Kreu i Shtetit shqiptar u nderua me “Urdhrin për Merita Ndërkombëtare të Dhurimit të Gjakut” nga Federata Ndërkombëtare e Organizatave të Dhuruesve të Gjakut (IFBDO).
Në këtë aktivitetin e zhvilluar në kopshtin e Institucionit të Presidentit të Republikës, ku ishin të pranishëm edhe Presidenti i IFBDO, z.Gian Franco Massaro dhe Sekretarja e IFBDO-së, Dr. Valentina Ruccolo, personalitete të shëndetit publik, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe institucioneve të pavarura, si dhe të shoqatave e forumeve të ndryshme të shoqërisë civile, Presidenti Meta çmoi lart punën e “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”, si dhe përsëriti apelin e tij për një ndërgjegjësim sa më të madh të opinionit publik dhe të dhuruesve vullnetarë, që të mbështesin këtë nismë sa humane, aq edhe fisnike për të përmbushur nevojat jetike të fëmijëve talasemikë dhe të gjithë pacientëve që u nevojitet gjak.
Fjala e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta në 3-vjetorin e “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”:
“Kam kënaqësinë të jem sot, me ju, për të festuar së bashku një ditë të rëndësishme: 3-vjetorin e themelimit të ‘Aleancës për Dhurimin e Gjakut’ dhe me këtë rast dua të shpreh nderimin tim të jashtëzakonshëm për të paharruarin z.Musa Zenelaj, i cili më frymëzoi në ndërmarrjen e një nisme të tillë.
Që prej 17 korrikut 2018, kemi ndërmarrë një rrugëtim të përbashkët në mbështetje të një kauzë shumë humane e jetike: dhurimi i gjakut.
‘Vlera e njeriut qëndron në atë që ai jep, dhe jo në atë që ai është i aftë të marrë!’ – na ka mësuar Albert Einstein.
Të japësh, të dhurosh, pa marrë asgjë në shkëmbim, është thelbi i kauzës së dhurimit të gjakut.
Këto 3 vite, nga themelimi i ‘Aleancës për Dhurimin e Gjakut’, kanë qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm. Kemi njohur dhe takuar me dhjetra e qindra vullnetarë, që i janë përgjigjur thirrjes për të dhuruar gjak, me dëshirën e madhe për të shpëtuar jetë.
Për të shpëtuar fëmijë talasemikë, që kanë nevojë të vazhdueshme për gjak, ashtu si edhe për të shpëtuar pacientë të tjerë, që kanë nevojë për gjak, për shkak të ndërhyrjeve kirurgjikale, të traumave të ndryshme, të komplikacioneve gjatë lindjes apo për shkak të aksidenteve.
Për të ndihmuar gjithashtu, të gjitha ata, që në një moment të jetës së tyre, kanë nevojë urgjente për gjak, duke menduar që, gjaku i dhuruar shpëton jetën e dikujt, që një ditë mund të jetë i afërmi, miku, familjari ynë, apo edhe ne vetë.
Kjo Aleancë lindi për të sensibilizuar e ndërgjegjësuar të gjithë shoqërinë tonë, për rëndësinë e dhurimit të gjakut, për të rritur numrin e dhurimeve vullnetare, si dhe për të nxitur vullnetarizmin e solidaritetin.
Pas 3 vitesh nga themelimi, arsyet që na nxitën të krijonim Aleancën, mbeten ende shumë të vlefshme dhe të forta dhe besoj që do të vazhdojnë të mbeten të tilla, deri në momentin kur, shoqëria jonë do të arrijë të plotësojë totalisht nevojat për gjak, nëpërmjet dhurimeve vullnetare. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të arritur këtë objektiv të Aleancës.
Të gjithë ne së bashku, përfaqësues të institucioneve shtetërore, të shoqatave dhe organizatave të ndryshme, të komuniteteve fetare ndihemi krenarë, që gjatë rrugëtimi tonë 3-vjeçar, kemi dhënë një kontribut të qënësishëm për këtë kauzë, duke ndihmuar në lehtësimin e mungesës së gjakut, veçanërisht në periudha të vështira të viti.
Kjo nuk do të kishte qenë e mundur, pa mbështetjen e pakushtëzuar dhe të jashtëzakonshme të anëtarëve të Aleancës, të dhuruesve vullnetarë të rregullt, të qindra e mijëra të rinjve e të rejave, që i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për të dhuruar gjak në çdo moment.
Dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve për këtë ndihmë dhe mbështetje, që i keni dhënë kësaj kauze të jashtëzakonshme humane.
Njëkohësisht, dëshiroj të falënderoj të gjitha institucionet qendrore dhe lokale, që kanë programuar në mënyrë të qëndrueshme dhurimin e gjakut, shoqatat, komunitete fetare, komunitetet e të huajve që jetojnë në Shqipëri dhe shumë individë, që kanë bërë gjithçka që ky aksion të jetë i përhershëm dhe të shpëtojë jetë.
Situata që kaluam së fundmi, me pandeminë, nuk ka qenë e lehtë. Ajo vuri në sprovë të madhe sistemet shëndetësore të të gjithë botës dhe kuptohet edhe të Shqipërisë.
Në këtë situatë të paprecedentë, kontributi i dhuruesve vullnetarë të gjakut ka qenë jetik.
Tashmë, me një situatë më të qetë, me vaksinimin e një pjese të popullsisë si dhe me imunizimin e një pjese tjetër, besoj se më shumë qytetarë, kryesisht të rinj, do t’i bashkohen kauzës së dhurimit të gjakut.
Edhe pse shkenca ka përparuar me hapa gjigante, nuk e prodhon dot artificialisht gjakun. Ndaj, kjo e bën dhurimin e gjakut, aktin më të çmuar dhe më me vlerë morale e njerëzore në botë dhe i bën dhuruesit vullnetarë të gjakut, heronjtë e kohës sonë.
Jemi të vendosur të vazhdojmë në këtë rrugë dhe të mbështesim në mënyrë të vazhdueshme dhurimin vullnetar të gjakut, duke ftuar të rinjtë dhe të rejat të bëhen pjesë aktive e fushatave tona, sepse janë të rinjtë, ata që formojnë numrin më të madh të dhuruesve vullnetarë dhe janë të rinjtë, ata që mund të bindin më shumë se kushdo, për rëndësinë e dhurimit të gjakut me shembullin e tyre.
Falënderoj edhe një herë, të gjithë anëtarët e Aleancës dhe dhuruesit vullnetarë dhe t’i ftoj të vazhdojnë të jepni kontributin tuaj, për çështjen humane të dhurimit të gjakut, sepse siç ka thënë poeti i famshëm amerikan Henry Longfelloë: “Jeta e njeriut nuk konsiston në shikimin e vizioneve dhe të ëndrrave, por në bamirësi aktive dhe në shërbim”!
Siç e ka thënë edhe Shenjtorja jonë Nënë Tereza, kemi nevojë për ‘dashuri në veprim’ dhe dhurimi i gjakut, është një dashuri në veprim.
Ju faleminderit!”