Presidenti Meta vlerëson aktorin e shquar Agim Qirjaqi (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i  Kombit”

Presidenti Meta vlerëson aktorin e shquar Agim Qirjaqi (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i  Kombit”

Me rastin e 70-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” aktorin dhe regjisorin e shquar Agim Qirjaqi (pas vdekjes), me motivacionin: “Me mirënjohje për nivelin e jashtëzakonshëm të aktrimit dhe profesionalizmin e spikatur, të shpalosur gjatë interpretimeve të paharrueshme dhe mjeshtërore si në skenat e teatrit, ashtu edhe në ekranin e madh të kinematografisë shqiptare.

Në vlerësim të aktorit inteligjent, elegant e plot finesë si dhe të regjisorit të talentuar e mendjehapur, njëkohësisht edhe personalitetit të rrallë artistik e njerëzor, i cili në saj të dashurisë për artin, jo vetëm që i mbeti përjetë besnik i palëkundur teatrit dhe filmit, por pasionin e tij ua përçoi me shumë përkushtim edhe brezave të shumtë të studentëve në Akademinë e Arteve”.

Në fjalën e Tij drejtuar familjarëve, kolegëve aktorë dhe regjisorë si dhe personaliteteve të artit të pranishëm në ceremoninë solemne të dekorimit, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Të nderuar përfaqësues të artit, aktorë, regjisorë, të nderuar familjarë.  Jemi sot, së bashku për të vlerësuar një figurë të shquar të artit tonë skenik aktorin, regjisorin dhe profesor Agim Qirjaqin, në ditën e 70-vjetorit të lindjes.

Edhe pse zoti Qirjaqi nuk ndodhet fizikisht mes nesh prej kohësh, rolet e realizuara në kinematografi, apo veprat e vëna në skenë, nën regjinë e tij, mbeten në memorien e artdashësve.

Ashtu siç mbetet në memorien e studentëve të tij, në Akademinë e Arteve (sot Universiteti i Arteve), puna e tij e përkushtuar si pedagog.

Karriera e zotit Qirjaqi si aktor fillon në Teatrin Kombëtar, por bëhet shumë shpejt i njohur nëpërmjet filmave ‘Rrugë të bardha’ e ‘Lulëkuqe mbi mure’.

Me këtë të fundit, realizuar me regji të Dhimitër Anagnostit, vlerësohet me çmimin e parë si aktori më i mirë i vitit.

Agim Qirjaqi iu përkushtua me shumë dashuri edhe regjisë së filmave e telefilmave edhe pse mbeti gjithmonë i angazhuar intensivisht në filma, duke qenë i preferuar nga shumica e regjisorëve.

Këtë përvojë të madhe, si në teatër edhe në kinema, duke qenë i suksesshëm dhe i aftë, si në realizimin e rolet dramatike, por edhe atyre komike, zoti Qirjaqi e ndau për shumë vite me studentët e tij, në Akademinë e Arteve në lëndën e mjeshtërisë së aktorit.

Pas një trajnimi 2-vjeçar në Milano, me një nga regjisorët më të mëdhenj italian Giorgio Strehler, rikthehet në Shqipëri më i dhënë pas regjisë, duke vendosur në skenë kryevepra të letërsisë botërore dhe njëkohësisht, duke futur elementet e para të teatrit absurd.

Angazhimi i profesor Agim Qirjaqit ishte i plotë dhe i gjithanshëm si aktor, regjisor, pedagog, por edhe përkthyes dramash, anëtar i Akademisë së Arteve dhe bashkëthemelues e kryetari i parë i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve të Teatrit.

Ndërkohë, ai drejtoi Teatrin Kombëtar, në një vit shumë të vështirë për këtë institucion, kur po vihej në pikëpyetje vetë ekzistenca e teatrit.

I vënë në krye të artistëve sindikalistë, profesor Qirjaqi mbrojti çështjen e Teatrit, duke dalë kundër shembjes së tij dhe kundër ligjit ‘Për Teatrin’.

Në karrierën e tij të gjatë, një nga figurat më të realizuara artistikisht, është ajo e Kolonelit Bunker, puna e tij krijuese arrin majat më të larta me këtë rol dramatik.

Me përvojën e tij të jashtëzakonshme, Agim Qirjaqi do të vazhdonte të jepte kontributin e tij për teatrin dhe kinematografinë shqiptare.

Por fatkeqësisht ai u nda nga jeta shumë shpejt, por duke lënë pas një eksperiencë të madhe e të çmuar për të gjithë brezat e aktorëve e regjisorëve të rinj.

Kolegët e tij e kujtojnë me shumë dashuri e respekt, si aktorin e madh poliedrik, inteligjent, elegant e tërë finesë, me një mimikë të pasur e vështrim të thellë, si regjisorin me mendje të hapur e pedagogun e përkushtuar.

Si një profesionist që asnjë herë nuk bëri kompromis me profesionin e tij dhe mbeti besnik i vetvetes, i teatrit dhe i filmit. Një njeri që gjithë jetën dashuroi profesionin dhe vetë jetën.

Me mirënjohje për nivelin e jashtëzakonshëm të aktrimit dhe profesionalizmin e spikatur, për personalitetin e rrallë artistik e njerëzor, si dhe për përkushtimin në përçimin e dashurisë për artin tek brezat e shumtë të studentëve, si dhe për mbrojtjen e Teatrit dhe trashëgimisë sonë kulturore,  vlerësoj sot, zotin Agim Qirjaqin, pas vdekjes, me Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’”.