Presidenti Meta vlerëson Baba Njiazi Salih Dede (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”

Presidenti Meta vlerëson Baba Njiazi Salih Dede (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vlerësoi sot në një ceremoni solemne të zhvilluar në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve, ku ishin të pranishëm Kryegjyshi Baba Haxhi Edmond Brahimaj, udhëheqës dhe besimtarë të shumtë të bashkësisë bektashiane, atdhetarin dhe personalitetin e shquar fetar Baba Njiazi Salih Dede (pas vdekjes) me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta vuri në dukje kënaqësinë për këtë ceremoni nderimi të një prej atdhetarëve dhe figurave më të shquara të bektashinjve dhe të shqiptarëve, ish-Kryegjyshin Botëror, Njiazi Salih Dede.

“Sapo lamë pas Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut, përkujtimi dhe nderimi për të cilin do të ngelet i përjetshëm!

Në çdo 17 Janar, shqiptarët si gjithmonë do të përkulen me krenari dhe mirënjohje të thellë para kujtimit dhe veprës të prijësit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

17 Janari i vitit 1921 koinçidon gjithashtu me finalizimin e Kongresit të Parë Kombëtar të bektashinjve shqiptarë, i mbajtur në Teqen e Prishtës, në Skrapar.

Këtë tubim historik e kujtojmë për vendimet e tij shumë të rëndësishme në reformimin e bashkësisë bektashiane dhe konsolidimin e shtetit të ri shqiptar.

Aty u shpall pavarësia e bektashizmit në Shqipëri dhe u formua ‘Lidhja Bektashiane Shqiptare’.

Kongresi i parë i bektashinjve i dha pavarësinë një prej strukturave shpirtërore më të rëndësishme të kombit shqiptar.

Më 17 janar 1921 u vendos për herë të parë përdorimi i gjuhës shqipe në ushtrimin e shërbesave fetare.”, – u shpreh Presidenti i Republikës.

“Atdhetarët shqiptarë, e realizuan bashkimin kombëtar duke u mbështetur mbi identitetin e tyre etnik, origjinën, gjuhën si dhe vlerat e përbashkëta etnokulturore.

Ky akt i Firmëtarëve të Pavarësisë u bë lajtmotivi i bashkimit kombëtar dhe i harmonisë tonë fetare.

Bektashizmi, si pjesë e bashkësive tona fetare u fali shqiptarëve mirësi, solidaritet e atdhedashuri. Ai u ofroi paqe dhe bashkëpunim vëllezërve shqiptarë të besimeve të tjera.

Raporti që ky besim krijoi me interesat e shqiptarëve, etnokulturën e tyre dhe iluministët e kombit, e shndërruan Shqipërinë gradualisht në atdheun mëmë të bektashizmit.

Ne jemi krenarë që në vitin 1930, Selia e Botërore e Bektashizmit u vendos Tiranë, ndaj vlerësojmë faktin që në krye të saj u vendos kolonjari i nderuar, Shenjtëria e tij Njiazi Salih Dede, ish-Kryegjyshi i Teqesë së famshme të Haxhi Bektashit.

Kemi ardhur në Kryegjyshatën Botërore, pikërisht aty ku i nderuari Njiazi Salih Dede hodhi themelet dhe lartësoi faltoren e shenjtë në nivel përfaqësimi botëror.

Gjatë Rilindjes Kombëtare, i madhi Naim Frashëri do të këshillonte bashkëkombësit bektashianë se :

‘Ata duhet të kryesojnë me fjalë të shenjta luftën e lirisë së shqiptarëve dhe të mos kursehen nga vdekja për atdhe.’

Njiazi Salih Dede është ndër shembujt e ndritur se si për atdhe, nën magjinë e bektashizmit lindën dhe u flijuan patriotë e burra të shquar mëmëdhetarë.

Sot ne së bashku po nderojmë një dëshmor të atdheut dhe klerik të shquar bektashian.

Një patriot i cili i tha ‘Jo’ pushtimit fashist, dhe për të cilin si gjithë bektashinjtë Shqipëria ngelet mbi gjithçka!

Njiazi Salih Dede ka zënë tashmë një vend të rëndësishëm në panteonin e pafund të gjithë klerikëve atdhetarë që nuk kursyen edhe jetën për devizën “ Pa atdhe nuk ka fe”.

Për sa më sipër kam kënaqësinë të vlerësoj krenarinë e bektashizmit dhe dëshmorin e atdheut, Njiazi Salih Dede me titullin e lartë “Nderi Kombit”.

Me këtë rast Presidenti Meta çmoi kontributin dhe sakrificat e shumë drejtuesve të ndritur bektashinj që e ringritën dhe po e lartësojnë kauzën e parimet e besimit bektashian.

]]>