Presidenti Meta vlerëson me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Majorin Klodian Tanushi, të rënë heroikisht në krye të detyrës në Letoni

Presidenti Meta vlerëson me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Majorin Klodian Tanushi, të rënë heroikisht në krye të detyrës në Letoni

Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, vlerësoi sot me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, Dëshmorin e Atdheut, Major Klodian Tanushi (pas vdekjes), me motacionin: “Në shenjë vlerësimi ndaj ushtarakut i cili nuk kurseu as jetën në shërbim të Atdheut, duke u shndërruar në një shembull frymëzimi nëpërmjet profesionalizmit të tij të lartë dhe trimërisë së rrallë në radhët e Forcave tona të Armatosura, të treguar në mbrojtje të paqes dhe sigurisë krah për krah si aleatë të denjë dhe të shkëlqyer të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO)”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar familjarëve të Dëshmorit të Atdheut dhe ushtarakëve të lartë të Forcave të Armatosura, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Jemi mbledhur sot, në këtë ceremoni solemne për të përkujtuar dhe vlerësuar denjësisht një ushtarak shqiptar të paharruar, i cili shërbeu me profesionalizëm, përkushtim dhe trimëri në misionin paqeruajtës në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Majorin Klodian Tanushi.

Major Tanushi ra heroikisht në krye të detyrës dhe me aktin e tij dhe shërbimin shembullor në mbrojtje, në ruajtje të paqes dhe sigurisë, na bën të gjithëve krenarë duke lartësuar Shqipërinë dhe Forcat tona të Armatosura, si një aleate e denjë e NATO-s.

Gjatë gjithë trajnimeve të programuara, kur ndodhi fatkeqësia e paparashikuar, shpërthimi i një mine, i mori jetën Nëntetares Zarife Hasanit, plagosi Nëntetarin Kapaj dhe njëkohësisht plagosi rëndë dhe më pas i mori jetën Major Tanushit.

Me gjithë ndërhyrjen e shpejtë dhe shumë të specializuar të strukturave përkatëse, Klodiani nuk ja doli dot t’u mbijetonte plagëve të rënda, duke ndërruar jetë e duke lënë në pikëllim të thellë prindërit, bashkëshorten, fëmijët, kolegët dhe mbarë qytetarët shqiptarë.

Akti i tij heroik, i rënies në krye të detyrës duke dhënë jetën për ruajtjen e jetëve të civilëve, në shërbim të paqes e sigurisë përtej kufijve të vendit tonë, ka bërë krenar familjen e tij, Forcat tona të Armatosura ku shërbeu, si dhe çdo qytetar shqiptar brenda dhe jashtë kufijve të Atdheut tonë.

Për heroizmin e treguar, duke sakrifikuar edhe jetën e Tij në krye të detyrës, si President i Republikës dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, kam nderin sot të vlerësoj Major Klodian Tanushin me dekoratën e lartë, ”Dekorata e artë e Shqiponjës”.

I përjetshëm dhe i ndritur qoftë gjithmonë kujtimi i Tij!”