23 Korrik 2022 Presidenti Meta vlerëson me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, shkrimtarin dhe poetin, Dritëro Agolli (pas vdekjes)
Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi shkrimtarin dhe poetin e shquar, Dritëro Agolli (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, me motivacionin: “Me vlerësimin më të lartë për personalitetin e shquar të letërsisë, kulturës dhe trashëgimisë sonë kombëtare, i cili me veprën e tij të pashembullt poliedrike e shumëdimensionale: letrare, artistike, estetike, filozofike, enciklopedike, akademike, politike dhe shoqërore, mishëroi virtytet më të vyera të shqiptarizmës si dhe ngjizi në shpirtin e kombit shqiptar atdhedashurinë dhe patriotizmin, dashurinë për tokën, njeriun dhe gjuhën e bukur shqipe, duke u kthyer në një shërbestar humanist dhe apostull besnik i ëndrrës shekullore të rilindasve tanë.”
Në fjalën e Tij përshëndetëse, drejtuar familjarëve të Dritëro Agollit, shkrimtarëve, politikanëve dhe personaliteteve të pranishëm, Presidenti Meta u shpreh:
“Është një privilegj dhe një nder i veçante për mua. që te jem sot së bashku me ju, për të nderuar edhe vlerësuar një personalitet të jashtëzakonshëm, të cilin e kujtojmë çdo ditë.
Sepse kudo ku shkojmë kemi të gjithë histori me të, po jo vetëm kaq, kudo në bibliotekat tona ai ndodhet aty.
Kjo është një ceremoni e vështirë si çdo ceremoni për Dritëroin, aq më tepër të mbash një fjalë për të, sepse fjalët janë të pa mjaftueshme për mjeshtrin e fjalës, të prozës, poezisë, publicistikës.
Megjithatë unë do të përpiqem në një mënyrë sa më modeste edhe një herë të shpreh mirënjohjen më të madhe për këtë kolos të letrave shqipe, për këtë personalitet të jashtëzakonshëm të kulturës dhe trashëgimisë tonë kombëtare.
Por, edhe të politikës dhe të transformimeve të mëdha politike dhe shoqërore në vend.
Mua edhe personalisht më lidhin kujtime të jashtëzakonshme me Dritëroin e madh, me të cilin kemi ndarë momente shumë të bukura, por edhe shumë të vështira edhe kritike, kujtime që i ruaj me shumë dashuri e nostalgji.
Besoj që kështu që ju ndodh edhe juve, që jeni sot këtu të pranishëm, por edhe shumë të tjerëve anë e mban vendit, dhe kudo që kanë pasur rastin dhe mundësin ti kalojnë, edhe disa çaste me Dritëroin.
Ai na ka lënë për fat të mirë një trashëgimi të jashtëzakonshme letrare, artistike, estetike, filozofike, enciklopedike, akademike, politike e shoqërore.
Përmes veprës dhe veprimtarisë së tij, si shkrimtar, mendimtar, politikan, gazetar, si pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, na ka dëshmuar në vetë të parë, për tre kohët e ndryshme të përjetuara: atë të luftës antifashiste nacionalçlirimtare si dhe në dy sistemet e ndryshme.
Dritëroi i madh na mësoi sesi jeta bëhet kuptimplotë vetëm kur i kushtohet progresit të vendit dhe shoqërisë dhe lartësimit të identitetit kombëtar.
Me veprën e tij Dritëro Agolli është kthyer në një simbol të jashtëzakonshëm dhe të gjallë për gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen në trojet amtare dhe në botën mbarë.
Ai ishte kumtues i mesazheve të paqes dhe bashkëjetesës në viset mbarë shqiptare dhe mbrojtës i idealeve evropiane, përmes qasjes me tipare kombëtare dhe autentike.
Është i jashtëzakonshëm kontributi i tij në unifikimin dhe forcimin e identitetit kombëtar, në periudha kyçe, të vështira dhe transformuese të historisë së kombit tonë.
Ai personifikonte dashurinë e jashtëzakonshme të çdo shqiptari për trojet e tij, dhe për ta ruajtur shqiptarinë si vlerë përbashkuese të gjithëve.
Ndërkohë, lidhja e tij me vendlindjen, toka nga ku merrte fuqinë, si Anteu, për t’u ri ngritur më i fuqishëm, do të mbetet një simbol i jashtëzakonshëm Dritëroian.
Po, Devoll/ i tillë qenkam unë/ Paskam marrë baltën tënde arave/ Në një trastë leshi/ ndënë gunë/ Për t’ia sjellë/ Lidhjes së Shkrimtarëve.
Dritëroi i rilindjes Naimiane ka folur me dashuri dhe krenari për vendin, të cilit i përket, dhe na bën të reflektojmë se ky vend duhet dashur edhe më shumë, ashtu siç është, me kohët dhe ritmet e veta, por edhe kontributi i çdo shqiptari për këtë vend jo vetëm që nuk duhet të rreshtë, por mund të rritet me dashuri gjithmonë.
Dje, sot, por edhe përtej kohërave, vepra e Dritëroit do të mbetet një katalizator i fuqishëm, frymëzues për identitetit kombëtar, një ushqim shpirtëror për shqiptarinë, një gur themeli në ruajtjen dhe trashëgimin e gjuhës së bukur shqipe dhe përçuese e aspiratave të shumë brezave në trojet mbarë shqiptare.
Edhe pse na mungon dhe do të na mungoj gjithmonë përsëri Dritëroi, na e ka treguar rrugën se si ta gjejmë.
Po kur të jesh mërzitur shumë.
Në raft të librave kërkomë,
Atje do të jem i fshehur unë,
Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë
Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do zbres, do vij pas teje;
Ti si dikur me mall do qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje.
Ndaj, sot jam shumë i nderuar të vlerësoj më Dekoratën më të lartë të Republikës së Shqipërisë, “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.
Për merita të jashtëzakonshme në lartësimin e kombit tonë, poetin e përjetshëm të tokës, atdheut dhe të dashurisë Dritëro Agolli.
I përjetshëm kujtimi i Tij!