Presidenti Meta vlerëson me Dekoratën e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” akademikët Anastas Angjeli dhe Dhimitër Haxhimihali

Presidenti Meta vlerëson me Dekoratën e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” akademikët Anastas Angjeli dhe Dhimitër Haxhimihali

Me propozim të Kryesisë së Akademisë së Shkencave, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi dy akademikë të shquar me Dekoratën e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”; akademikun, pedagogun dhe ekonomistin e njohur, z. Anastas Anagjeli: “Në vlerësim të kontributit të tij të spikatur akademik, shkencor, studimor dhe didaktik në fushat e ekonomisë dhe financave publike. Me mirënjohje veprimtarit të shquar politik e publik në dobi të reformimit bashkëkohor politik si dhe zbatimit të ekonomisë së tregut të lirë në Shqipëri.”

si dhe profesorin e njohur të kimisë industriale dhe të mjedisit z. Dhimitër Haxhimihali: “Në vlerësim të personalitetit të spikatur me veprimtari akademike, shkencore dhe universitare për rreth gjashtë dekada, në fushën e rëndësishme të kimisë industriale dhe të mjedisit. Më mirënjohje themeluesit të disiplinave universitare në teknologjitë e zbatuara të kimisë organike, në dobi të industrisë së fosfateve si dhe të zhvillimit të suksesshëm të kësaj dege në ekonominë shqiptare.”

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit u shpreh:

“Është kënaqësi të shoh kaq shumë akademikë, profesorë, shkencëtarë dhe përfaqësues të nderuar të institucioneve tona të arsimit dhe jo vetëm.

Në vlerësim të propozimit të Kryesisë së Akademisë së Shkencave, kisha kënaqësinë të merrja vendimin për të nderuar dy personalitete të shkencës dhe të mësimdhënies universitare, dy figura përfaqësuese në fushat ku ata vazhdojnë të kontribuojnë për dekada, dy akademikë të spikatur dhe të njohur brenda dhe jashtë vendit.

Kontributi dhe përkushtimi i tyre në fushat përkatëse kanë lënë një trashëgimi të vyer për brezat e rinj, dhe me shumë interes dhe dobi për ekonominë shqiptare.

Profesor Anastas Angjeli, i cili është profesor në ekonomi, financë dhe bankë, me një kontribut të shquar në këtë fushë, sidomos në atë të financave publike dhe të reformave strukturore në ekonomi në mënyrë të veçantë, me shumë kontribute për kalimin nga një ekonomi thellësisht e centralizuar, në ekonominë e tregut të lirë në fillim të viteve 1990.

Ai u bë pjesë e profesoratit, pranë Universitetit të Tiranës, që në vitin 1982, e vijoi këto angazhim edhe pse më pas të gjithë e njohim si një politikan mjaft aktiv, jo vetëm si drejtues i komisioneve parlamentare, por edhe si drejtues i ministrive të ndryshme të Financave, Ekonomisë apo edhe të Punës dhe Çështjes Sociale.

Profesor Angjeli është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në vitin 2010 dhe është afirmuar si një nga ekonomistët financierë më të zëshëm, sidomos në zbatimin e reformave të ekonomisë së tregut.

Kontributi i tij për reformën buxhetore dhe fiskale, për zhvillimin e sistemit financiar, për zbatimin e politikave fiskale në dobi të zhvillimit të biznesit dhe të investimeve vendase, është vlerësuar jo vetëm nga opinioni publik, por edhe nga institucione ekonomiko-financiare ndërkombëtare.

Profesor Angjeli ka themeluar gjithashtu në vitin 2009 Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, një nga universitetet jo-publike më në zë dhe me një staf cilësor dhe shumë të kualifikuar.

Zoti Angjeli është anëtar i Akademisë së Shkencave të Europës, prej disa vitesh dhe autor dhe bashëkautor i shumë librave universitarë dhe monografive, artikujve shkencorë brenda e jashtë vendit.

Së fundmi, është zgjedhur edhe në detyrën e rëndësishme si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Pikërisht për këtë përvojë të gjatë dhe të vyer dhe në vlerësim të kontributit të tij të spikatur akademik, shkencor, studimor e didaktik në fushat e ekonomisë dhe financave publike, po dhe si veprimtar i shquar politik e publik në dobi të reformimit bashkëkohor politik dhe zbatimit të ekonomisë së tregut të lirë në Shqipëri, kam kënaqësinë të vlerësoj Akademikun Anastas Angjeli me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Profesor Dhimitër Haxhimihali është një akademik i njohur, i cili është diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës pranë Universitetit të Tiranës, dhe gjithashtu është emëruar pedagog në katedrën e teknologjisë kimike-inorganike të këtij fakultetit.

Ai ka dhënë një kontribut të shquar në zhvillimin e procesit mësimor, në degën e kimisë industriale, si drejtues lëndësh, hartues planesh e programesh mësimore të nivelit universitar e pasuniversitar.

Zoti Haxhimihali ka kryer shumë studime shkencore dhe me vlerë në fushën e pasurimit të lëndëve të para fosfatike në plehra kimike, në fushën e ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit, ka trajtuar çështje të terminologjisë së kimisë në gjuhën shqipe dhe ka drejtuar grupe shkencore.

Në vitin 1994 ka marrë titullin ‘Doktor i shkencave’, dhe në vitin 2003 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Është autor i shumë kumtesave e referatesh shkencore dhe artikujve.

Ka kryer kualifikime e specializime pasuniversitare në shumë qendra universitare kërkimore, Gjermani, Angli, Itali, Kinë etj.

Si një personalitet i spikatur, me veprimtari akademike, shkencore dhe universitare për rreth gjashtë dekadash në fushën e rëndësishme të kimisë industriale dhe të mjedisit, dhe si themelues i disiplinave universitare në teknologjitë e zbatuara të kimisë organike kam kënaqësinë të vlerësoj Akademikun Dhimitër Haxhimihali me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Duke ju uruar shumë suksese akademikëve të nderuar, i uroj shumë suksese edhe Akademisë së Shkencave në të ardhmen!