Presidenti Meta vlerëson kontributin e znj. Edita Tahiri dhe znj. Edlira Çepani për fuqizimin dhe mbështetjen e grave dhe vajzave në Shqipëri dhe Kosovë: Të angazhohemi dhe të bashkojmë të gjitha forcat, për fuqizimin e mëtejshëm të rolit të vajzave dhe grave në shoqëri

Presidenti Meta vlerëson kontributin e znj. Edita Tahiri dhe znj. Edlira Çepani për fuqizimin dhe mbështetjen e grave dhe vajzave në Shqipëri dhe Kosovë: Të angazhohemi dhe të bashkojmë të gjitha forcat, për fuqizimin e mëtejshëm të rolit të vajzave dhe grave në shoqëri

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, me mbështetjen dhe nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, u organizua sot në Institucionin e Kryetarit të Shtetit, aktiviteti nën moton “Gra që Frymëzojnë”.

Në këtë aktivitet, ku ishin të pranishme gra dhe vajza, të cilat kanë spikatur dhe lënë gjurmët e tyre në fusha të ndryshme të jetës shoqërore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi, Presidenti Meta vlerësoi dy zonja të shquara për kontributin e dhënë për fuqizimin e grave dhe vajzave në shoqëri, znj. Edita Tahiri dhe znj. Edlira Çepani.

Kreu i Shtetit dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skëndërbeut” znj. Edita Tahiri: “Në vlerësim të kontributit të vyer në mbrojtjen, forcimin dhe përparimin e faktorit shqiptar në botë, si një figurë e spikatur shqiptare, udhëheqëse, politikane, diplomate dhe negociatore e njohur në proceset paqeruajtëse në Kosovë e në rajonin e Ballkanit.Me mirënjohje ndaj kontributeve të vazhdueshme për fuqizimin dhe mbështetjen e grave dhe vajzave shqiptare, në Kosovë, Shqipëri e në trojet e banuara nga kombi ynë.”

Ndërsa znj. Edlira Çepani u vlerësua me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”: “Me mirënjohje ndaj kontributit dhe përkushtimit si aktiviste e shoqërisë civile për fuqizimin e rolit të vajzave dhe grave në Shqipëri, për forcimin e barazisë gjinore si dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në vlerësim të punës së vazhdueshme në mbështetje të shtresave në nevojë në të gjithë Shqipërinë, duke shërbyer si një zë i fortë në trajtimin e çështjeve sociale në mediat shqiptare.”.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar, familjarëve, kolegëve, personaliteteve nga fusha te ndryshme të vendit dhe diaspora, të pranishëm në ceremoni, Presidenti Meta u shpreh:

“Të dashura Zonja, Vajza dhe Gra!

Jam i lumtur të ndodhem sot, në këtë sallë të mbushur me kaq shumë gra e vajza, për të festuar së bashku, 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Njëkohësisht, për të bashkuar të gjitha forcat tona, për fuqizimin e mëtejshëm të rolit të tyre në shoqërinë tonë.

Kjo ditë, që i kushtohet rolit e gruas në shoqëri dhe histori, dhe luftës së tyre për barazi, drejtësi, paqe dhe zhvillim, si dhe arritjeve shoqërore, ekonomike, kulturore dhe politike të grave më të suksesshme, na nxit për të vepruar me më shumë guxim për përshpejtimin e barazisë gjinore në të gjitha fushat.

Sot, këtu ka shumë gra dhe vajza, që kanë arritur suksese të jashtëzakonshme në jetën e tyre profesionale, ka gra e vajza që kanë luftuar e luftojnë çdo ditë, për të drejtat e tyre, për të qenë të barabarta në shoqëri , në vendimmarrje, për të realizuar një shoqëri sa më përfshirëse, sa më të drejtë, më humane dhe pa konflikte.

Roli i gruas dhe i nënës në mbarëvajtjen e familjes dhe të shoqërisë është i pazëvendësueshëm dhe vendimtar, ashtu si vetë barazia gjinore do të thotë edhe demokraci e vërtetë.

Barazi më e madhe gjinore do të thotë një pjesëmarrje më e madhe e grave dhe plotësimi i të drejtave të tyre në të gjitha aspektet, si në arsim, punësim dhe vendimmarrje. Barazi gjinore, do të thotë rritje më e madhe ekonomike, familje më e qëndrueshme, më të shëndetshme dhe më e lumtur.

Gratë në drejtim; do të thotë më shumë arritje, por edhe më shumë transparencë dhe më pak korrupsion.

Prandaj është e rëndësishme dhe e domosdoshme të angazhohemi të gjithë, shoqëri civile, institucione shtetërore, për të sfiduar rolet, stereotipet, qëndrimet dhe paragjykimet dhe për të nxjerrë në pah e për ta vënë në shërbim të shoqërisë, të gjithë potencialin e vërtet të grave dhe vajzave tona, me qëllim fuqizimin e plotë të tyre.

Secila prej tyre ka një aftësi të veçantë, që duhet t’ia përkrahim në mënyrë që secila prej tyre të japi maksimumin e talentit, të dhuntive dhe vërtet të ndihet e realizuar në profesionin që zgjedh dhe në kontributin që jep për shoqërinë dhe familjen.

Sot, në këtë ditë dua që t’iu falënderoj për angazhimin dhe për përkushtimin tuaj, për të forcuar familjet tona shoqërinë tonë, por edhe kombin tonë. Pasi roli i nënës është i jashtëzakonshëm dhe i pazëvendësueshëm, për edukimin e fëmijëve dhe të gjeneratave të reja.

Nënat e lumtura dhe të suksesshme, padyshim që, edukojnë dhe fëmijë me vetëbesim, fëmijë, të cilët hyjnë të sigurt në rrugën e suksesit.

Sot, kemi kënaqësinë të vlerësojmë një personalitet të mbarë hapësirave tona, siç është zonja Edita Tahiri, një personalitet shumë i njohur, që prej dekadash kontribuon për çështjet madhore, siç ka qenë çështja e lirisë dhe e Pavarësisë së Kosovës.

Në kushtet e një represioni dhe një gjenocidi të jashtëzakonshëm dhe jo vetëm kaq, por edhe sot e kësaj dite vijon të jetë një zë i fortë, aktiv dhe përfaqësuese.

Jam i sigurt se Edita me personalitetin, karakterin dhe lidershipin e saj, ka frymëzuar dhe shumë vajza të tjera, të cilat sot, janë drejtuese dhe kanë një rol të rëndësishëm jo vetëm në Kosovën e pavarur, por njëkohësisht edhe në të gjitha hapësirat tona mbarëshqiptare.

Edita është një politikane, diplomate, negociatore e njohur dhe një nga udhëheqëset kryesore të procesit të pavarësisë së Kosovës.

Karriera e saj është e gjatë dhe e shquar, ajo njihet për punën e jashtëzakonshme në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe çështjes shqiptare.
Në vitet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ajo vazhdoi të shquhet si reformatore në përpjekje për ndryshime në Kosovë.

Edit Tahiri është një zë i fuqishëm, me një angazhim të vazhdueshëm për fuqizimin e grave dhe të vajzave në Kosovë, Shqipëri dhe gjithë rajonin tonë.
Si Kryetare e Lobit Rajonal të Grave të Europës Juglindore, zonja Tahiri, punon në përkrahjen e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave në proceset e paqes, sigurisë, drejtësisë dhe në fuqizimin e integrimin e tyre në vendimmarrje.

Znj. Edlira Çepani është juriste, por mbi të gjitha aktiviste për të drejtat e njeriut, eksperte e çështjeve gjinore dhe Koordinatore Kombëtare e Rrjetit të Grave “Barazi në Vendimmarrje”.

Ky rrjet është një zë i fortë për fuqizimin e grave dhe vajzave, pjesëmarrjen e tyre të barabartë në vendimmarrje dhe barazinë gjinore në vend.
Znj. Çepani ka udhëhequr një sërë fushatash kombëtare për barazinë gjinore dhe ka kontribuar aktivisht edhe në fuqizimin e të rinjve, duke qenë iniciatorë e politikave dhe nismave për punësimin dhe të drejtat e të rinjve dhe për kthimin e të rinjve në Shqipëri (brain gain).

Një kontribut të rëndësishëm znj.Çepani e ka dhënë gjatë periudhës së pandemisë, për familjet në nevojë dhe veçanërisht për gratë dhe vajzat e prekura nga dhuna me bazë gjinore.

Kontributi i znj.Çepani shtrihet dhe në nivel rajonal e ndërkombëtar në konferenca të ndryshme, si dhe në promovimin e diplomacisë ekonomike dhe shkëmbimit kulturor mes vendeve të ndryshme.

Ju faleminderit!”