Presidenti Meta vlerëson mjekun humanist endokrinolog, Gerond Husi (pas vdekjes) me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza”: Simboli i mjekut të palodhur dhe të devotshëm, frymëzim për gjeneratat e mjekëve më të rinj që të ndjekin shembullin e tij

Presidenti Meta vlerëson mjekun humanist endokrinolog, Gerond Husi (pas vdekjes) me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza”: Simboli i mjekut të palodhur dhe të devotshëm, frymëzim për gjeneratat e mjekëve më të rinj që të ndjekin shembullin e tij

Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi sot mjekun e njohur endoktrinolog Gerond Husi (pas vdekjes) me Dekoratën “Nënë Tereza”: “Me mirënjohje ndaj endokrinologut të shkëlqyer, pedagogut të Universitetit të Mjekësisë, shkencëtarit të pasionuar si dhe humanistit vetëmohues. Në vlerësim të mjekut të palodhur, i cili iu përkushtua me mish e me shpirt profesionit të tij fisnik, sidomos në situatat tejet të vështira të pandemisë Covid-19, duke sakrifikuar madje edhe jetën në shërbim të pacientëve.”

Në fjalën e Tij përshëndetëse, drejtuar familjarëve të mjekut Husi, personaliteteve të mjekësisë shqiptare dhe intelektualëve të pranishëm, Presidenti Meta u shpreh:

“Jemi sot, së bashku, për të vlerësuar një personalitet të mjekësisë shqiptare, një ikonë të bluzës së bardhë, një mjek që gjatë gjithë jetës së tij, gëzoi reputacion të lartë mes kolegëve të tij, studentëve e të sëmurëve, endokrinologun Gerond Husi.

Doktor Husi u lind e u rrit në një familje intelektuale vlonjate, ku mbizotëronte kultura qytetare dhe dëshira për arsimim. Ky ambient ndikoi thellësisht në formimin e doktor Husit.

Si rrallëkush në atë kohë, doktor Husi krahas studimeve në universitet punonte edhe në turnet e natës si infermier.

Ishte dëshira dhe dashuria e madhe për profesionin e mjekut, që e shtynin të punonte edhe natën dhe të studionte ditën dhe të aplikonte në praktikë pikërisht ato që studionte në libra.

Kjo eksperiencë punë, pavarësisht lodhjes dhe sforcimit, ndikoi pozitivisht në formimin e tij si mjek dhe mbi të gjitha, shfaqi aftësitë e tij të veçanta në lidhje me sjelljen ndaj pacientëve dhe trajtimin e tyre.

Specializimi në fushën e endokrinologjisë në Tiranë dhe më vonë në Francë e pajisën me një bagazh të madh dijesh dhe njohurish.

Dedikimi dhe aftësitë e tij si mjek bënë që t’i ofrohej një vend pune në spital në Francë, por Doktor Husi ishte i qartë dhe i vendosur për t’u kthyer në Atdhe dhe për të dhënë kontributin e tij në shërbim të vendit të tij dhe të bashkëqytetarëve.

Atdhedashuria dhe mirënjohja për vendin e tij, ashtu si profesionalizmi, ndershmëria, korrektësia ndaj kolegëve, studentëve dhe të sëmurëve ishin virtyte që e shoqëruan doktor Husin gjatë gjithë jetës së tij.

Dëshira për të thelluar dijet dhe kërkimin shkencor nuk i mungoi asnjëherë doktor Husit, i cili vazhdoi të lexonte, studionte e shkruante studime e artikuj shkencor gjatë gjithë jetës së tij.

Doktor Husi ishte i kudondodhur dhe i papërtuar në shërbim të pacientëve. Ai jo vetëm i trajtonte dhe i shëronte, por edhe i qetësonte me sjelljen, mirësinë dhe gatishmërinë që rrezatonte në çdo moment.

Doktor Husi përveçse mjek nga më të mirët, ishte njëkohësisht edhe një pedagog i përkushtuar dhe shumë i dashur nga studentët e tij. Pikërisht për gjithë cilësitë dhe aftësitë e tij u zgjodh President i Shoqatës së Endokrinologjisë.

Situata e vështirë e pandemisë Covid-19 e gjeti edhe doktor Husin në vijën e parë të luftës. Pa u kursyer në asnjë moment, ai punonte në repartin infektiv me pacientë që vuanin nga Covid-19 dhe diabeti njëkohësisht.

Fatkeqësisht, pavarësisht kujdesit që tregonte u infektuar me Covid-19 dhe me gjithë përpjekjet dhe lutjet e shumta të familjarëve, kolegëve e miqve të tij nuk arriti ta mposhte këtë sëmundje, e cila e mori në moshë të re dhe kur kishte ende shumë për të dhënë për profesionin që ai e dashuronte.

Me humbjen e doktor Husit familja humbi njeriun e saj të dashur, mjekësia humbi mjekun e devotshëm e të kualifikuar dhe shembullor, shokët dhe kolegët humbën mikun e tyre të qeshur dhe bashkëpunues, pacientët humbën mjekun e dashur gojëmbël dhe shoqëria humbi një njeri model dhe frymëzues.

Por pavarësisht ndarjes nga jeta vetëm në moshën 50-vjeçare, jeta e tij ishte e mbushur plot me arritje e suksese. Emri i tij do të vazhdojë të jetë simboli i mjekut të palodhur dhe të devotshëm dhe frymëzim për gjeneratat e mjekëve më të rinj që të ndjekin shembullin e tij.

I paharruar qoftë kujtimi i doktor Gerond Husit!”