9 Tetor 2020 Presidenti Meta vlerëson një nga kolosët e shkencës dhe sistemit energjetik shqiptar, Prof. Petrit Radovicka (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”
Presidenti i Republikës vlerësoi sot gjatë një ceremonie të zhvilluar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, shkencëtarin, projektuesin, drejtuesin dhe zbatuesin e veprave hidroenergjetike Profesor Petrit Radovickën (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”.
Kreu i Shtetit i akordoi titullin e lartë shkencëtarit Radovicka, me motivacionin: “Për kontributin e tij si shkencëtar, projektues, drejtues e zbatues i veprave më të rëndësishme të hidroenergjetikës së vendit; personalitet me merita të jashtëzakonshme në themelimin dhe drjejtimin e institucioneve më të larta të dijes dhe shkencës; simbol dhe përfaqësues i disa brezave të intelektualëve shqiptarë; që ndërtuan vepra të mëdha; hartues i skemës së sistemit unik energjetik të Shqipërisë dhe ideator e realizues i skemës së shfrytëzimit optimal të burimeve ujore të Shqipërisë, si dhe përfaqësues i denjë i shtetit shqiptar në organizata dhe institucione shkencore ndërkombëtare”.
Në fjalën e Tij drejtuar familjarëve, Kryetarit të të Akdemisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, akademikëve, anëtarëve të Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha si dhe pjesëmarrësve në ceremoni, Presidenti Meta u shpreh:
“Ju falënderoj shumë për këtë propozim dhe prej kohësh kemi mendur për të bërë një vlerësim të veçantë të shumë personaliteteve, që kanë kontribute të jashtëzakonshme për ndërtimin e sistemit energjetik të vendit.
Ju falënderoj shumë, sepse jam tepër i bindur dhe i privilegjuar që të marr pjesë në një ceremoni të veçantë për këtë kolos të shkencës dhe energjetikës sonë, siç është vepra dhe kontributi i Profesor Radovickës.
Është një nder për mua që t’i akordoj Dekoratën e lartë ‘Nder i Kombit’ akademikut Petrit Radovicka, për meritat e tij historike si hartues i sistemit unik energjetik të Shqipërisë, një kryevepër e inxhinierisë hidroenergjetike shqiptare; për projektimin, ndërtimin dhe vënien në shfrytëzim me efikasitet maksimal të burimeve energjetike të vendit; për përfaqësimin dinjitoz të vendit në organizatat ndërkombëtare si dhe për drejtimin e shkëlqyer profesional të institucioneve universitare dhe akademike.
Profesor Petrit Radovicka është ndoshta figura më e rëndësishme e inxhinierisë energjetike dhe hidroenergjetike të Shqipërisë. Nën drejtimin e tij janë ndërtuar të gjitha hidrocentralet e mesme dhe të mëdhenj të vendit, që nga ai i Lanabregasit, dy hidrocentralet e Bistricës, ai i Shkopetit dhe Ulëzës, etj.
Petrit Radovickës i takon autorësia e projektimit të kryeveprës shkencore hidroenergjetike të vendit tonë, që përfshin skemën e shfrytëzimit optimal të kaskadës së Drinit. Pjesë e kësaj skeme të hartuar prej tij, dhe të mbështetur në parimet e saj janë dhe hidrocentrali i Ashtës dhe projekti i hidrocentralit të Skavicës.
Rezultat i drejtpërdrejtë i kësaj kryevepre shkencore është ndërtimi i tre hidrocentraleve më të mëdhenj të vendit tonë si hidrocentrali i Vaut të Dejës, i Komanit dhe ai i Fierzës. Fuqia e tre hidrocentraleve të ndërtuar në kaskadën e lumit Drin është e tillë që përfaqëson rreth 95% të fuqisë energjetike të instaluar deri në vitin 1990.
Sistemi unik energjetik i vendit është i lidhur drejtpërsëdrejti me meritat dhe kontributet e tij. Akademik Petrit Radovicka ka hartuar parimet shkencore e projektuese për studimin e potencialit hidroenergjetik të Shqipërisë, por gjithashtu, akademik Petrit Radovicka është marrë me studimin e zhvillimit të energjetikës në vendin tonë, duke përpunuar dhe mbrojtur variantin parësor për ndërtimin e HEC-eve të fuqishme të kombinuara me TEC-et.
Me një mençuri largpamëse, Profesor Petrit Radovicka përcaktoi raportet më të frytshme të përdorimit të burimeve hidro dhe termoenergjetike, raporte që janë edhe sot të pandryshuara, me gjithë hyrjen e burimeve alternative në përdorim.
Veprat e ndërtuara nën drejtimin e tij janë vepra që jo vetëm iu kanë mbijetuar kohërave, por mbajnë edhe sot Shqipërinë me prodhim dhe të ardhura, në kushtet e shumëfishimit marramendës të nevojave të përdorimit të energjisë elektrike.
Petrit Radovicka mbetet një shkencëtar i niveleve ndërkombëtare, pjesëtar në mjaft konferenca ndërkombëtare, i cili me kontributet e tij ka përfaqësuar me shumë dinjitet vendin tonë në kongrese ndërkombëtare të anëtarësimit si në Qendrën Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, në Organizatën Botërore të Shkencës, në Organizatën Botërore të Digave të Mëdha dhe në shumë institucione të tjera.
Profesor Radovicka ka drejtuar institucionet më të hershme kërkimore e shkencore të vendit, të themeluara pas Luftës si Institutin e Shkencave dhe Akademinë e Shkencave.
Ai ka drejtuar me dinjitet dhe profesionalizëm Komisionin e Ujërave Ndërkombëtare dhe, si negociator kryesor, ka meritën e arritjes së marrëveshjeve të suksesshme dypalëshe shqiptaro-jugosllave për përmbytjet që do të shkaktoheshin si rezultat i ndërtimit të skemës hidroenergjetike të lumit Drin.
Siç e thekson dhe akademiku Bardhyl Golemi: ‘Akademiku Petrit Radovicka është dhe do të mbetet një vlerë e spikatur kombëtare dhe personaliteti i tij evokon tërë plejadën e specialistëve dhe kolosëve, që punuan me të dhe që si një konstelacion i ndritshëm, e rrethuan atë dhe ndriçuan tërë Shqipërinë’.
Ata janë të shumtë, por pa asnjë dyshim vijnë në vëmendjen tonë Prof. Farudin Hoxha, Prof. Emin Mysliu, personalitete të shquara si Ismail Ahmeti, Egon Gjadri, Prof. Negovani, Prof. Stratobërdha e Profesor Esmaxhiu, Prof. Pano e shumë, e shumë të tjerë, pa harruar që të gjithë ata zbatues që nga heroi i hidrocentraleve Shaban Gjoka e të tjerë, të cilët i vunë në jetë me shumë sakrifica vepra të tilla me të cilat ne krenohemi edhe sot e kësaj dite.
E përjetshme qoftë vepra e Profesor Radovickës dhe e të gjithë atyre që bashkëpunuan me të!”