14 Shkurt 2021 Presidenti Meta vlerëson pedagogun e spikatur sarandjot, Armand Hysi (pas vdekjes) me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”: Të gjithë të kontribuojmë për mbrojtjen e Sarandës nga “virusi i babëzisë” dhe shpopullimi, sepse ky qytet u përket të gjithë shqiptarëve
Sarandë
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta çmoi pedagogun e spikatur sarandjot Armand Hysi (pas vdekjes) me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributeve të vyera si intelektual me kurajë e ndershmëri të spikatur civile në shërbim të qytetit dhe bashkëqytetarëve të tij. Me mirënjohje për punën shumëvjeçare dhe rezultatet si pedagog vizionar dhe kërkues shkencor, i cili u shndërrua në një pikë referimi të pazëvendësueshme për studentët dhe kolegët”.
Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar familjarëve, kolegëve dhe intelektualëve të pranishëm në ceremoninë solemne të organizuar në Sarandë, Presidenti Meta u shpreh:
“Armand Hysi kujtohet nga bashkëqytetarët e tij, si një njeri i rrallë, pedagog i përkushtuar dhe shumë i përgatitur i Universitetit ‘Eqerem Çabej’ në Gjirokastër, i cili i shërbeu arsimit dhe edukimit për vite me radhë.
Kontributi i tij ka qenë i spikatur jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe në politikë, në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe kulturor të Sarandës në veçanti, por edhe të Gjirokastrës dhe të jugut në përgjithësi.
Falë pasionit për dijen, punës së tij kërkimore shkencore, vizioneve bashkëkohore dhe hulumtimeve shumë të rëndësishme, Armand Hysi vazhdon të mbetet edhe sot një pikë referimi e rëndësishme për kolegët e tij dhe studentët.
Gjatë karrierës së pasur profesionale edhe si “Doktor i Shkencave” në Financë, ai dha një kontribut të vyer, si në shërbim të sektorit publik, ashtu dhe në fushën e sipërmarrjes, duke punuar kudo me përkushtim dhe me shumë bashkëpunim me qytetarët.
Edhe pse u nda nga jeta në moshë shumë të re, ai ka lënë pas një trashëgimi të pasur, me studime e publikime me influencë në fushën ekonomike, si profesionist i politikave makroekonomike, politikave fiskale dhe buxhetit të shtetit.
Gjithashtu, ai ka lënë pas një emër të nderuar e të vlerësuar nga qytetarët e Sarandës, të Gjirokastrës e jugut në përgjithësi, si një intelektual i rrallë, shumë human, që ndihmonte qytetarët në nevojë dhe që nuk kursehej të mbështeste kauzat sociale të rëndësishme.
Duke vlerësuar të gjithë kontributin e jashtëzakonshëm të Armand Hysit, si intelektual me kurajë e ndershmëri të spikatur, si dhe punën e tij shumëvjeçare si pedagog e kërkues shkencor, e vlerësoj me Titullin e lartë ‘Për merita të veçanta civile’.
Të gjithë duhet ta duam më shumë Sarandën, ta mbrojmë dhe ta promovojmë, sepse ky qytet i mrekullueshëm, nuk u përket vetëm sarandjotëve, por të gjithë shqiptarëve.
Sot ky apel është edhe më i rëndësishëm se asnjëherë tjetër për të rinjtë e qytetarët e Sarandës, që aq shumë është dëmtuar nga “virusi i babëzisë” dhe është prekur nga shpopullimi.
Kemi nevojë të vlerësojmë sa më shumë figura të tilla, si Armand Hysi, që i shërbejnë komunitetit dhe mbeten një model frymëzues i përhershëm solidariteti, humanizmi, por edhe progresi shoqëror.”