Presidenti Meta vlerëson përkthyesin, shkrimtarin dhe botuesin e shquar, z. Rexhep Hida me Titullin “Mjeshtër i Madh”

Presidenti Meta vlerëson përkthyesin, shkrimtarin dhe botuesin e shquar, z. Rexhep Hida me Titullin “Mjeshtër i Madh”

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” përkthyesin, shkrimtarin dhe botuesin e njohur, z. Rexhep Hida, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të qenësishëm të dhënë në fushën e letërsisë si themelues i shtëpisë së parë botuese private në vend, duke u sjellë lexuesve kryevepra të letërsisë botërore dhe asaj shqiptare. Me mirënjohje për vlerat e çmuara si përkthyes në gjuhën amtare të kryeveprave botërore dhe të shkrimtarëve shqiptarë në gjuhë të huaj, duke u dalluar gjithashtu edhe si autor veprash të rëndësishme mbi çështjen tonë kombëtare”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar, shkrimtarëve, artistëve, intelektualëve dhe diplomatëve të pranishëm në ceremoninë solemne, Kreu i Shtetit u shpreh:

“Jam shumë i lumtur, që ndodhem sot, mes shumë personalitete të fushës së artit e letërsisë, me studiues, shkrimtarë, përkthyes e botues, për të vlerësuar njërin prej jush, intelektualin e njohur të fushës së letrave, pedagogun, përkthyesin, redaktorin, shkrimtarin dhe botuesin z. Rexhep Hida.

Z. Rexhep Hida ka fituar respektin dhe vlerësimin e kolegëve dhe miqve të tij të shumtë dhe ka krijuar një personalitet të spikatur mes intelektualëve tanë, falë aftësive profesionale, vlerave të larta njerëzore, ndershmërisë dhe përkushtimit të tij në punë.

Jeta e z. Hida ka qenë dhe mbetet e lidhur ngushtësisht me librin dhe me dijen. I lindur në një familje patriotike dhe kulturëdashëse, z. Hida me përfundimin e universitetit u emërua pedagog i letërsisë dhe teorisë së përkthimit, pranë Universitetit të Tiranës.

Më pas ai, shërbeu si përkthyes-redaktor i veprave filozofike, sociologjike e politike, në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe atë enciklopedike, ku përgatiti një botim për shumë veprash të rëndësishme nga letërsia botërore në gjuhën shqipe.

Krahas aftësive si përkthyes, z. Hida u shqua si autor i tre librave për Kosovën “Ç’thonë e ç’duan kosovarët”, pikërisht në një vit kritik si 1989, që paralajmëronte zhvillime mjaft të rëndësishme. Një vepër politiko-filozofike dhe patriotike njëkohësisht, që pati një jehonë të madhe brenda e jashtë vendit, dha një kontribut të çmuar në njohjen e të vërtetës mbi Kosovën dhe u bë një manifest për rininë kosovare, të asaj kohe.

31 vite më parë, në vitin 1991, z. Hida themeloi të parën shtëpi botuese private në Shqipëri, Shtëpinë Botuese “Fan Noli”, me qëllim pasurimin e portofolit të botimeve të deri atëhershme me tituj të rinj, që i ishin ndalur e mohuar lexuesit tonë, nga regjimi i mëparshëm.

Shtëpia Botuese “Fan Noli” e nisi aktivitetin e saj duke botuar vepra të mëdha të letërsisë dhe filozofisë botërore. Panë dritën e botimit filozofë si Alber Kamy, psikanalisti Sigmund Frojd, për të vazhduar më tej me vepra të Kafkës, Dostojevskit, Pushkinit e shumë vepra të shkrimtarë të tjerë të huaj e shqiptarë.

Në fakt të jesh botues, sidomos në këtë kohë, nuk është detyrë e lehtë. Botuesi nga njëra anë promovon shkrimtarët dhe u mundëson atyre të nxjerrin në pah aftësitë e tyre krijuese, por nga ana tjetër, i duhet të studiojë edhe atë që i nevojitet tregut të librit.

Mund të them që z. Hida me shtëpinë e tij botuese “Fan Noli” e ka realizuar me shumë sukses këtë detyrë.

Me mbi 5000 tituj librash të autorëve më të mëdhenj në botë, ai është bërë një nga botuesit më të mëdhenj në Shqipëri, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në edukimin e lexuesve tanë dhe sidomos atyre të brezit të ri.

Përkthimi vazhdon të mbetet një nga dashuritë dhe pasionet e hershme të z. Hida. Të përkthesh një libër është një sfidë e madhe, sepse duhet të rikrijosh origjinalin, duhet të bësh zgjedhjen e duhur të fjalëve, pa u larguar nga konteksti kryesor i autorit, duhet të transmetosh tek lexuesi një perceptim të saktë të tekstit bashkë me kuptimin, personazhet dhe emocionet e tyre.

Çdo vepër letrare ka një imazh artistik të ngulitur në të dhe përkthimi mund ta transmetojë bukur dhe besnikërisht, por edhe mund ta cenoj këtë imazh për lexuesin.

Mund të themi me bindje se z. Hida e ka transmetuar imazhin artistik të shumë kryeveprave të letërsisë botërore të përkthyera prej tij, në mënyrën më të mirë të mundshme.

Përkthimi dhe cilësia e lartë e shqipërimit të novelës “Fati i njeriut”, e shkrimtarit nobelist Mihail Shollohov, e renditi z. Hida ndër 15 përkthyesit më të mirë në botë.

Si intelektual i përgjegjshëm dhe i angazhuar z. Hida nuk ka reshtur së shkruari një mori artikujsh publicistik, shkrime, studime e intervista për median elektronike e të shkruar, që janë mirëpritur nga lexuesi ynë.

Z. Hida ka përfaqësuar e vazhdon të përfaqësojë Shqipërinë me mjaft dinjitet në shumë aktivitete të UNESCO-s. Ai është Kryetar i Shoqatës së Përkthyesve në vendin tonë, përfaqësues i Shqipërisë në Federatën Botërore të Përkthyesve dhe mbi të gjitha, një nga mbështetësit dhe përkrahësit më të mëdhenj të gjeneratës së përkthyesve të rinj të talentuar.

Me aktivitetin dhe pjesëmarrjen në dhjetëra panaire ndërkombëtare, shtëpia botuese “Fan Noli” dhe botuesi, z. Hida janë kthyer në ambasadorë të denjë të fushës së letrave për vendin tonë.

Dua të uroj z. Hida, krijime dhe suksese të reja në rrugën e tij, si kalorës i dijes dhe i diturisë.”