22 Shkurt 2022 Presidenti Meta vlerëson peshëngritësin kampion bote, z. Briken Calja me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” dhe trajnerin e mirënjohur, z. Gerald Toska me Titullin “Mjeshtër i Madh”: Vlerësim e mirënjohje për arritjen e rezultateve të larta historike në sportin shqiptar, ambasadorë të krenarisë kombëtare
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, kampionin e botës shqiptar në peshëngritje, zotin Briken Calja: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për talentin dhe përkushtimin në arritjen e rezultateve të larta historike në sportin shqiptar si kampion i botës në peshëngritje. Me mirënjohje për vlerat e larta të shpalosura si fryt i stërvitjeve dhe personalitetit të tij triumfues në garat ndërkombëtare, duke u shndërruar në një shembull frymëzimi për të gjithë.”
Gjithashtu Presidenti Meta dekoroi zotin Gerald Toska me Titullin “Mjeshtër i Madh”: “Në shenjë vlerësimi për rezultatet e larta si sportist kampion i ekipit të ‘Shtërmenit’ të Elbasanit dhe Ekipit Kombëtar, në shumë veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare. Sukseset dhe meritat e tij kulmojnë si trajner i përkushtuar në përgatitjen e kampionit të botës, peshëngritësit Briken Calja.”
Në fjalën e Tij gjatë ceremonisë solemne, ku merrnin pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Europiane të Peshëngritjes, Prof.Dr. Milan V. Mihajloviç, Presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, z. Fidel Ylli, si dhe drejtues të lartë të peshëngritjes shqiptare, Presidenti i Republikës u shpreh:
“Të nderuar zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër;
I nderuar zoti Mihajloviç, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Europiane të Peshëngritjes, që na nderon sot me pjesëmarrjen në këtë eveniment shumë të rëndësishëm;
I nderuar zoti Fidel Ylli dhe gjithë yjet e tjerë, drejtues dhe sportistë, që na nderojnë këtu nga Shqipëria, Kosova dhe gjithë hapësirat tona;
I dashur Briken;
I dashur Gerald;
Të dashur familjarë të Brikenit dhe Geraldit;
Është një kënaqësi e veçantë, të nderojmë sot sportin e peshëngritjes, që për dekada të tëra na ka bërë krenar, me përfaqësimin dinjitoz në arenën ndërkombëtare, e në mënyrë të veçantë, sportistin tonë të shkëlqyer të peshëngritjes Briken Calja.
Brikeni Calja na ka bërë krenar me rezultatet e tij fantastike në shumë gara ndërkombëtare, që nga shpallja si Kampion Europe, e deri tek ai moment dramatik, ku për 1 kg., nuk fituam dot Medaljen e Bronzit, në Lojërat Olimpike të Tokios.
Do të kishte qenë një tjetër rezultat historik për peshëngritjen shqiptare në Lojërat Olimpike.
Por, suksesi më i shkëqlyer për Brikenin dhe për të gjithë sportin e peshëngritjes është shpallja e tij Kampion Bote në shkëputje, në kampionatin Botëror të Peshëngritjes të Uzbekistanit, duke ngritur peshën 156 kg.
Ndërkohë që ngritja e 186 kg, në stilin e shtytjes, e bëri atë nën kampion bote dhe vetëm me 1 kg diferencë me vendin e parë, duke arritur një rezultat të jashtëzakonshëm.
Ky kampion i madh dhe i sprovuar në shumë gara dhe kompeticione ndërkombëtare, që e nisi karrierën e tij në Shtërmen të Elbasanit, në mënyrë të jashtëzakonshme dhe stoike, qëndroi dhe u ballafaqua me vështirësi të panumërta, për të arritur në majat e sportit tonë kombëtar dhe njëkohësisht dhe në gara më të forta ndërkombëtare.
Duke arritur të na emocionojë në mënyrë të vazhdueshme me performancën dhe sukseset e tij.
Ai tashmë është jo vetëm një pjesë shumë e rëndësishme e historisë së sportit shqiptar, por njëkohësisht është edhe një motivues i jashtëzakonshëm për arritje më të mëdha, jo vetëm personale, po për të gjithë sportin e peshëngritjes sonë në të ardhmen ë afërt.
Një peshëngritës tjetër i suksesshëm që kam kënaqësinë ta vlerësoj në praninë tuaj dhe bashkëudhëtar i Briken Caljes në sukseset e Brikenit është Gerald Toska.
Kampion dhe sportist i shumë veprimtarive kombëtare dhe ndërkombëtare.
Gerald Toska fiton titullin e Kampion Kombëtar si peshëngritës i Shtërmenit dhe është bërë disa herë Kampion i Shqipërisë.
Ai ka arritur suksese të tjera të rëndësishme në sportin e peshëngritjes dhe në 2005 fiton Kupën, si sportisti më i mirë i Kampionatit Kombëtar.
Nga viti 2017, ai vazhdon të japë një kontribut të madh, si trajner personal i kampionit Briken Calja, ku me punë dhe përkushtimin e tij ka bërë që Briken Calja, të arrijë këto suksese të mëdha, duke ngritur lart prestigjin jo vetëm peshëngritjes, por edhe të mbarë sportit tonë.
Shembulli i kësaj pune dhe këtyre sukseseve, janë një burim frymëzimi, sidomos për të rinjtë dhe fëmijët, duke theksuar se sporti jo vetëm ju zhvillon, por ju ofron mundësi, të shpalosni talentin tuaj.
Prandaj përfitoj nga rasti, në mënyrë të veçantë, për të përshëndetur familjet tuaja të nderuara, si dhe miqtë, trajnerët e kolegët tuaj, që janë krenarë, për atë që ju keni bërë për peshëngritjen, por edhe për përfaqësimin e kombit tonë brenda dhe jashtë.
Duke përfituar nga kjo ceremoni, dëshiroj të theksoj se peshëngritja në vendin tonë është një sport me shumë traditë, që gjithmonë na ka emocionuar, na ka befasuar dhe na ka bërë të ndihemi krenarë.
Përse mos të besojnë fëmijët dhe të rinjtë tanë, që edhe ata mund të jenë në të ardhmen, si Briken Calja dhe të nderojnë vendin dhe kombin tonë.
Nuk ka një mënyrë më të shpejtë, se sa arritjet në sport për një komb, për t’u respektuar kudo në botë.
Dhe nuk ka asnjë shqiptar, që nuk emocionohet kur shikon flamurin kuq e zi, që të ngrihet mbi të gjithë flamujt e tjerë, ashtu siç e ngriti edhe Brikeni, e kanë ngritur dhe sportistë të tjerë, në evenimente shumë të rëndësishme.
Faleminderit Briken Calja, faleminderit të gjithëve, sportistëve tanë, që kanë ndihmuar Shqipërinë të bëhet e famshme.
Të punojmë sa më shumë, ta mbështesim sportin , në mënyrë që të jemi gjithmonë krenar, për flamurin tonë kombëtar.
Faleminderit!”