Presidenti Meta vlerëson Shoqatën Kombëtare “Skënderbegasi” me Dekoratën “Nderi i Kombit” dhe anëtarë të shquar të saj: Me emrin e kryeheroit tonë, Shkolla “Skënderbej” u bë simbol i nderit, i krenarisë dhe i dinjitetit të ushtrisë shqiptare, një fidanishte ku u rritën, u edukuan dhe u brumosën me cilësitë e virtytet më të larta patriotike dhe njerëzore breza të tërë të rinjsh

Presidenti Meta vlerëson Shoqatën Kombëtare “Skënderbegasi” me Dekoratën “Nderi i Kombit” dhe anëtarë të shquar të saj: Me emrin e kryeheroit tonë, Shkolla “Skënderbej” u bë simbol i nderit, i krenarisë dhe i dinjitetit të ushtrisë shqiptare, një fidanishte ku u rritën, u edukuan dhe u brumosën me cilësitë e virtytet më të larta patriotike dhe njerëzore breza të tërë të rinjsh

Me rastin e 76-vjetorit të krijimit të Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej”, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta çmoi Shoqatën Kombëtare “Skënderbegasi” me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për merita dhe punën e veçantë në ruajtjen dhe zhvillimin e traditave të Shkollës së Mesme Ushtarake ‘Skënderbej’. Për kontributin e çmuar në fushën kërkimore shkencore nëpërmjet studimeve e botimeve të shumta profesionale”.

Kreu i Shtetit i akordoi gjithashtu zotit Petrit Murzaku, Dekoratën “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi si njëri nga themeluesit e Shkollës së Mesme Ushtarake ‘Skënderbej’, që kontribuoi për shumë vjet në trajnimin dhe përgatitjen e brezave me ushtarakë të zotë për nevojat e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Ai ishte dhe ngelet sportisti më i kompletuar i të gjitha kohëve, shembull frymëzimi për brezat”.

Presidenti Meta dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”:

Thoma Kromidha “Në shenjë vlerësimi për kontributin e tij si një ndër kuadrot e kompletuara ushtarake, duke spikatur me profesionalizmin e tij në të gjitha strukturat e mbrojtjes, si dhe në mbajtjen gjallë të traditave patriotike e atdhetare të Shkollës së Mesme Ushtarake ‘Skënderbej’”;

Kristaq Çiton (pas vdekjes) “Si njëri nga oficerët më të suksesshëm e të gjithanshëm të Flotës Detare. I gatshëm në përgjigje të çdo detyre e kalim vështirësie, duke pohuar vlerat e vërteta të skënderbegasit”;

Qirjako Dhima “Në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë si një nga pilotët dhe specialistët e përkushtuar të Forcave Ajrore, që diti të drejtojë në fluturim e në tokë në interes të brezave për ruajtjen e zhvillimin e kësaj arme të dashur dhe të vështirë”.

Ndērsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” u dekorua zoti Sherif Çiçiku: “Në shenjë vlerësimi të kontributit të tij për nxjerrjen dhe trajnimin e talenteve të reja. Me përkushtim e profesionalizëm dashuroi dhe lartësoi emrin e Shkollës së Mesme Ushtarake ‘Skënderbej’, duke furnizuar ekipet me mjeshtër dhe ngritur peshë entuziazmin e sportdashësve”.

Me Titullin “Naim Frashëri”, Kreu i Shtetit çmoi zotin Mëno Dedaj, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë si njëri nga ish-skënderbegasit më aktiv, që shërbeu në radhët e Forcave të Armatosura brenda dhe jashtë vendit, duke i përfaqësuar ato me denjësi, profesionalizëm dhe pa u lodhur kurrë për Atdheun dhe shoqatën”, si dhe zotin Shpendi Topollaj, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë si njëri nga ish-skënderbegasit e suksesshëm, duke spikatur veçanërisht në fushën e krijimtarisë letrare. I dënuar se lexonte veprat e akademikut Rexhep Qosja”.

Me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” u vlerësua zonja Arta Raveli, me motivacionin: “Për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar ndaj punës dhe skënderbegasve në vite, d uke u bërë kështu arkivuesja dhe ruajtësja e vlerave të dokumentuara, si dhe vetë historisë së Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej”.

Në fjalën përshëndetëse drejtuar anëtarëve të Shoqatës “Skënderbegasi” dhe personaliteteve të pranishme në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, Kreu i Shtetit u shpreh:

“Është një emocion i veçantë për mua të organizoj këtë ceremoni vlerësimi, edhe si djali i mësuesit të Shkollës së Mesme Ushtarake ‘Skënderbej’, i rritur pjesërisht në ambientet e kësaj shkolle të madhe, që ka lënë gjurmë të forta në historinë e shtetit tonë, fal kontributit të jashtëzakonshëm, të dhënë nga breza të tërë mësuesish dhe pedagogësh, sidomos të atyre mijërave “skënderbegasve”, që u rritën, u edukuan dhe u bënë jo vetëm mbrojtës besnik të Atdheut, duke shkëlqyer në të gjitha fushat e sigurisë, por që spikatën edhe në fusha të tjera, duke qenë krenar se ishin ‘Begsa’.

28 marsi i vitit 1945 është një datë e veçantë dhe historike, pasi pikërisht pak muaj pas çlirimit të Atdheut 300 partizanë të vegjël zbritën nga malet dhe u ulën në bankat e kësaj shkolle të sapoformuar; fillimisht të cilësuar si ‘Shkolla e Pionierëve të Luftës’ dhe më pas si Shkolla Ushtarake ‘Skënderbej’.

Me këtë emër të Kryeheroit tonë shkolla u bë simbol i nderit, i krenarisë dhe i dinjitetit të ushtrisë shqiptare, ku u rritën, u edukuan dhe u brumosën me cilësitë e virtytet më të larta patriotike dhe njerëzore breza të tërë të rinjsh të ardhur nga e gjithë Shqipëria.

Janë rreth 36 mijë ‘skënderbegas’, që mësuan, u rritën dhe u kualifikuan në bankat e kësaj shkolle.

Nga armata e madhe e tyre dolën lider të vërtetë, të cilët drejtuan më pas strukturat e sigurisë së vendit.

Nga bankat e kësaj shkolle dolën shumë ushtarakë profesionistë, që drejtuan njësi të niveleve taktike, operative e strategjike të Forcave të Armatosura, duke shërbyer me devotshmëri të jashtëzakonshme.

‘Skënderbegasit’ e dikurshëm, ata më të spikaturit, studiuan dhe përfunduan me sukses Universitetin e Tiranës, duke u diplomuar dhe shkëlqyer më pas në shumë fusha të ndryshme si: mjekësi, ekonomi dhe inxhinieri.

Shkolla e Mesme Ushtarake ‘Skënderbej’ për shumë kohë, ishte vendi i zbulimit, i përzgjedhjes dhe trajnimit të talenteve të jashtëzakonshme, nga arti, kultura dhe në veçanti sporti, në të gjitha disiplinat, duke u bërë furnizuesja kryesore e klubeve sportive më me emër të kohës, sidomos të Partizanit dhe Ekipeve tona Kombëtare.

Sot, ne të gjithë, kujtojmë sa shumë personalitete të shquara, të dala nga kjo shkollë; artistë e sportistë, gjoksi i të cilëve nuk i mbante dot dekoratat dhe medaljet e fituara në përfaqësimet e gjithanshme sportive, brenda dhe jashtë vendit.

Njëri prej tyre ishte dhe mbetet i paharruari Petrit Murzaku, të cilin kemi nderin ta rivlerësojmë sot, por edhe shumë kolegë të tij, të cilët u rritën profesionalisht në këtë shkollë dhe nderuan ngjyrat kuq e zi duke lartësuar me rezultatet e tyre flamurin tonë kombëtar.

Një zbulues i veçantë i talenteve të reja sportive, të cilin kam pasur rastin ta njoh edhe vetë nga afër qysh në fëmijëri, është Sherif Çiçiku, i cili për dekada të tëra, me profesionalizëm e kujdes të veçantë e mbi të gjitha me dashurinë për sportin, përzgjodhi, trajnoi e përgatiti talente të shumta të sportit aq popullor dhe të dashur të futbollit.

Lista do të ishte e gjatë, por do të mjaftonte vetëm emri Perlat Musta.

Ne së bashku e veçanërisht ju, si ‘skënderbegas’, kujtoni kur të parët nxënës të kësaj shkolle me fletore e libra hapur mbi bankë nga njëra anë, afër mbanin armën e mbështetur tek këmbët.

Kështu rrodhi historia e kësaj shkolle, model dhe e vetme e përgatitjes së ushtarakëve të ardhshëm profesionistë për nevojat e Forcave tona të Armatosura.

Të tillë ishin ata, që themeluan të parën shkollë kur zbritën nga malet dhe në vend të armës mbi supe vendosen gradat.

Ish-“skënderbegasit” ndër vite, që dolën nga dyert e kësaj shkolle tashmë janë fare pak që shërbejnë në radhët e Forcave të Armatosura.

Por janë pafund ata, të cilët edhe pse kanë dal në pension e janë sot në moshë të thyer, ndjejnë deyrimin e organizimit e të përfaqësimit në një shoqatë, që ia ka dalë më së miri të ruajë e transmetojë ndër breza vlerat e pazëvendësueshme të kësaj shkolle model e të paharruar.

Ju faleminderit!”