6 Shkurt 2021 Presidenti Meta vlerëson sportistë të shquar shkodranë: Të promovojmë vlerat më të mira sportive, që na bëjnë krenarë të gjithëve
Shkodër
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi disa nga sportistët e shquar shkodranë, të cilët me talentin, rezultatet e larta dhe profesionalizmin e tyre kanë spikatur në disiplina të ndryshme sportive si basketboll, atletikë, peshëngritje dhe boks në radhët e KS “Vllaznia” dhe Ekipit tonë Kombëtar.
Kreu i Shtetit dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” zotin Filip Guraziu “Në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për kontributin e madh, si një nga basketbollistët e spikatur të ekipeve ‘17 Nëntori’, ‘Vllaznia’ dhe Ekipit Kombëtar. Lojtar me teknikë moderne të basketbollit, i papërkulur, i guximshëm e fitimtar. Shembull frymëzimi jo vetëm në fushën e lojës, por dhe në karrierën e tij si intelektual dhe qytetar model”.
Me Titullin “Mjeshtër i Madh” Presidenti Meta vlerësoi zotin Astrit Zaganjori “Në shenjë vlerësimi për pasionin dhe karrierën e suksesshme si lojtar basketbolli i skuadrës ‘Vllaznia’ dhe Ekipit Kombëtar. I dalluar për lojën cilësore, korrektësinë në fushën e lojës dhe për rezultatet e larta në Klubin Sportiv ‘Vllaznia’” dhe zotin Arben Mlloja “Në shenjë vlerësimi për rezultatet e larta të arritura në sportin e Atletikës, Kampion e rekordmen në garat e kërcimit së gjati dhe dhjetëgarësh, me ekipin e klubit sportiv ‘Vllaznia’ dhe Ekipin Kombëtar, në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Po me Titullin “Mjeshtër i Madh” u dekorua zoti Artur Lagja “Për kontributin dhe rezultatet e larta në Peshëngritje. Sportist i spikatur i klubit sportiv ‘Vllaznia’ dhe Ekipit Kombëtar. Kampion dhe rekordmen, i përkushtuar dhe me rezultate të larta në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.”, si dhe zoti Jetmir Kuçi “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e shquar në sportin e Boksit, të klubit sportiv ‘Vllaznia’ dhe Ekipit Kombëtar. Kampion dhe i suksesshëm në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Trajner i rezultateve të larta në boksin e femrave”.
Në fjalën përshëndetëse gjatë ceremonisë solemne të zhvilluar në ambientet e Bashkisë së Shkodrës, në prani të Kryetarës së Bashkisë zonjës Voltana Ademi, familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të sportit, Presidenti Meta u shpreh:
“Jam i lumtur të rikthehem në Shkodër, dhe njëkohësisht të marr pjesë në këtë ceremoni të organizuar në respekt të disa prej personaliteteve më të shquar të sportit të Shkodrës dhe të vendit tonë.
Sporti në qytetin e Shkodrës, ka pasur si misioni jo vetëm arritjet e rezultateve të larta, por edhe zhvillimin dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, edukimin e të rinjve dhe mbi të gjitha zhvillimin e frymës së miqësisë dhe forcimit të ndjenjave vëllazërore në shoqëri.
Sukseset e arritura nga sportistët e ‘Vllaznisë’ kanë qenë gjithmonë një forcë ideale, për të frymëzuar drejt rrugëve të reja dhe standarteve më të larta dhe nganjëherë të papritura, por edhe në tejkalimin e konflikteve të shkaktuara edhe nga shkelja e të drejtave njerëzore.
Sfidat e arritura nëpërmjet punës e sakrificave nga sportistë, trajnerë e drejtues, kanë treguar shpirtin luftarak e pasionin e madh për atë, që shkodranët e kanë në dejet e tyre.
Sot, kam kënaqësinë të vlerësoj disa ndër sportistët më të shquar të Shkodrës dhe vendit tonë, që me rezultatet e tyre kanë përcjellë emocione të paharruara, brenda dhe jashtë vendit.
Zoti Filip Guraziu është një nga basketbollistët më të talentuar, i cili ka kontribuar me shumë sukses me ekipet e ‘Vllaznisë’, të ‘17 Nëntorit’ dhe ato kombëtare.
Ai është fitues i medaljeve të arta në spartakiadën e parë Kombëtare në vitin 1959, ku u shpall edhe si basketbollisti më i dalluar dhe më me perspektivë. Ai ka qenë disa herë Kampion Kombëtar dhe fitues i Kupave të Republikës me ekipet e ‘Vllaznisë’ dhe të ‘17 Nëntorit’.
Zoti Guraziu ka qenë lojtar titullar edhe i Ekipit Kombëtar në ballkaniadën e zhvilluar në Tiranë në vitin 1965. Në kulmin e suksesit trajneri i tij afrohet dhe i thotë: Filip jam i autorizuar më të komunikuar përjashtimin tënd prej aktivitetit sportiv të basketbollit për motive politike.
Dhe biografia e largoi padrejtësisht Filipin shumë shpejt nga sporti i tij i dashur i basketbollit, ku ai shkëlqeu shumë i ri dhe ku të gjithë ende e mbajnë mend dhe e vlerësojnë edhe sot, për talentin dhe emocionet që iu dhuroi.
Krejt papritur në 1967 skuadrës shkodrane i mungon Filip Guraziu. Ky ishte një çast fatal kur një regjim i pamëshirshëm dhe i padrejtë, rifillon hakmarrjen, për shkak të biografisë, si djali i Pjetër Guraziut, martirit të këtij vendi.
Sistemi monist shkatërroi në këtë mënyrë, talentin e madh dhe një sportisti të madh, duke dashur që të shtyp një njeri që në fëmijëri, kishte shpërthyer si një talent në basketboll.
Filip Guraziu ka qenë një basketbollist modern, i njohur për shpirtin e garës dhe për guximin dhe talentin e tij.
Karriera e Filip Guraziut është e suksesshme edhe në shumë fusha të tjera në dobi të qytetarëve të Shkodrës, si një profesionist, si intelektual i mirëfilltë, po kështu në fushën e kulturës, të mbrojtjes ekologjike, turizmit, të artit, të politikës dhe si autor i një sërë botimesh të publikuara anë e mbanë botës.
Gjithçka e arritur në sukseset e tij, nuk e shlyejnë historinë dramatike në sportin e basketbollit, që kishte vetëm një shkak, biografinë!
Ne jemi sot për të nderuar talentin e tij të jashtëzakonshëm, por njëkohësisht dhe qytetarinë e tij të jashtëzakonshme, të shprehura në të gjitha fushat edhe gjatë kohës që ishte krye-qytetari i parë i Shkodrës.
Astrit Zaganjori ka qenë një sportistët më të shquar të basketbollit shkodran. Karriera e tij në sportin e basketbollit fillon që në moshë të re dhe në fund të viteve 1980, ai bëhet pjesë e ekipit të parë të ‘Vllaznisë’.
Si lojtar kryesor i ekipit të ‘Vllaznisë’, Zaganjori është pjesë e sukseseve të këtij ekipi duke u shpallur 4 herë kampion. Zaganjori ka qenë lojtar i spikatur dhe i dalluar në lojën e qendrës, falë shtatlartësisë dhe përgatitjes së tij të gjithëanshme.
Ai ka qenë titullar i Ekipit Kombëtar dhe ka luajtur në shumë ndeshje ndërkombëtare. Ai mbetet figurë e shquar e sportit shkodran dhe atij kombëtar, dhe një nga figurat emblematike të basketbollit. Një personalitet i respektuar dhe i dashur në të gjithë opinionin sportdashës të ngjyrave kuq e blu të ‘Vllaznisë’ së Shkodrës.
Arben Mlloja është një nga figurat më të njohura të sportit shkodran dhe të atletikës tonë.
Arben Mlloja ka një karrierë të suksesshme sportive dhe ka dhënë një kontribut të shquar për atletikën. Ai ka vendosur shumë rekorde që në moshë fare të re.
Në karrierën e tij si atlet, ai ka realizuar rekorde të shkëlqyera në disiplinat e kërcimit së gjati dhe në 10-garësh. Ai ka fituar:
• 13 medalje si fitues i kampionatit kombëtar;
• 3 medalje Ari në 2 Spartakiada kombëtare;
• 2 medalje Argjendi në 2 Spartakiada kombëtare.
Rezultate të larta Arben Mlloja ka arritur dhe në aktivitetet me veteranët, brenda dhe jashtë vendit.
Artur Lagja ka filluar karrierën e tij në sportin e peshëngritjes me ‘Vllazninë’.
Gjatë karrierës së tij është shpallur 15 herë kampion i vendit dhe ka thyer 37 rekorde kombëtare. Ai ka qenë anëtar i ekipit kombëtar për 15 vite me radhë.
Ka qenë një peshëngritës me disiplinë të lartë sportive, korrekt dhe i ka shërbyer me pasionin e punën e tij ekipit ‘Vllaznia’ dhe Ekipit Kombëtar.
Artur Lagja i ka dhuruar sportdashësve të peshëngritjes gara të bukura dhe me nivel të lartë cilësor.
Jetmir Kuçi ka filluar karrierën e tij në sportin e boksit me KS “Vllaznia” dhe është shpallur 8 herë kampion i Shqipërisë me ekipin e boksit të ‘Vllaznisë’.
Jetmiri ka qenë anëtar i ekipit kombëtar dhe ka arritur rezultate të larta në aktivitetet evropiane dhe ballkanike. Aktiviteti i tij kulmon me pjesëmarrjen në boksin profesionist, duke dhënë rezultate edhe më të larta.
Ndërkohë ai vazhdon karrierën e tij në boks edhe si trajner i suksesshëm. Ai ka rreth 5 vite që drejton boksin e femrave. Boksierja e tij, Esidita Selaj ka arritur rezultate të larta në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare, duke arritur edhe nën kampione e Evropës.
Jetmir Kuçi i ka dhuruar sportdashësve Shkodranë jo vetëm ndeshje të bukura me emocione të pafundme dhe të një niveli të lartë, por ka qenë edhe një shembull edukimi dhe frymëzimi për më të rinjtë.
Padyshim karriera juaj është një vlerë e çmuar në historinë e sportit shkodran dhe atij kombëtar. Arritjet tuaja janë trashëgimi e rëndësishme në kulturën e këtij qyteti, të cilën unë dëshiroj edhe njëherë tjetër ta përshëndes. Prandaj dhe njëherë dua t’ju shpreh angazhimin tim dhe kënaqësinë time për dekretimin me Titullin e lartë “Kalorës i urdhrit të Flamurit”, për kontributin dhe rezultatet e arritura në basketboll dhe për karrierën e tij profesionale dhe intelektuale për zotin Filip Guraziu.
Gjithashtu një vlerësim me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’, kam kënaqësinë t’u akordoj sportistëve të shquar të Shkodrës së kampionëve:
♦ Basketbollistit kampion Astrit Zaganjori
♦ Atletit kampion dhe rekordmen Arben Mlloja;
♦ Peshëngritësit kampion dhe rekordmen Artur Lagja;
♦ Boksierit kampionit Jetmir Kuçi.
Janë momente që na bashkojnë të gjithëve, në promovimin e vlerave më të mira sportive dhe njerëzore.
Por gjithashtu uroj dhe dëshiroj dhe të gjithë të punojmë së bashku, që këto të shërbejnë si mesazh frymëzimi për të gjithë të rinjtë edhe fëmijët e ‘Vllaznisë’ së sotme dhe të mbarë Shkodrës.
Ju falënderoj edhe njëherë për punën, sakrificat, sukseset tuaja dhe për atë kënaqësi që i keni dhënë gjithë sportdashësve tanë, kudo në Shkodër dhe anembanë vendit.
Ju uroj sa më shumë suksese dhe shëndet juve e familjeve tuaja.”