11 Mars 2022 Presidenti Meta vlerëson me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” mjekun e njohur, Prof.As.Dr. Tritan Kalo: Bluzat e bardha duhen mbështetur dhe vlerësuar sa më shumë në misionin e tyre fisnik, që të mos detyrohen të largohen nga vendi
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi sot, me anë të një ceremonie solemne, një prej personaliteteve më të shquara të mjekësisë shqiptare, Prof. As. Dr. Tritan Kalo me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”: “Me mirënjohje për kontributin e vyer intelektual dhe profesionalizmin e lartë, thjeshtësinë dhe humanizmin e shquar në kryerjen e detyrës fisnike të mjekut. Në vlerësim të përkushtimit, vetëmohimit të jashtëzakonshëm dhe kontributit të paçmuar të dhënë në përballjen me pandeminë botërore.”
Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar familjarëve, kolegëve, personaliteteve të fushës së mjekësisë, Ambasadorit të Delegacionit të BE, Sh.T.Z. Luigi Soreca, si dhe të ftuarve të tjerë, Presidenti Meta u shpreh:
“Për çdo jetë që shpëtohet, pas çdo buzëqeshje, pas çdo shprese në zemër, gjendet një mjek apo një mjeke, që punon pa u lodhur.
Ndaj, jam i lumtur të vlerësoj një prej personaliteteve më të shquara të mjekësisë sonë, në fushën e sëmundjeve infektive, një njeri fisnik në të gjithë punën dhe personalitetin e tij, Prof. As. Dr. Tritan Kalo.
Ai njihet nga të gjithë si një mjek jo konformist, me integritet të lartë i pasionuar pas shkencës dhe librit, i karakterizuar nga një profesionalizëm i lartë, me një thjeshtësi dhe humanizëm të dalluar në kryerjen e detyrës.
Përkushtimi i tij në mënyrë të veçantë, gjatë pandemisë Covid-19, ka qenë tepër i dukshëm dhe i vazhdueshëm, duke merituar duartrokitjet e të gjithëve, për atë përkushtim shembullor.
Me profesionalizëm, humanizëm, ai punoi dhe ndihmoi, për të shpëtuar jetën e shumë qytetarëve tanë, duke u kujdesur për shëndetin e tyre nga mbarë vendi.
Beteja kundër Covid-19 kishte në vijë të parë të frontit bluzat tona të bardha, mjekët dhe infermierët tanë, heronjtë e vërtet të Shqipërisë, shumë prej të cilëve, për fat të keq humbën edhe jetën e tyre në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve.
Ndaj edhe në sajë të punës dhe kontributit të tij të çmuar në informimin e gjerë ndaj opinionit publik mbi pandeminë, dhe shërbimit të tij ndaj qytetarëve të prekur nga Covid-19, Profesor Kalo mori mirënjohjen jo vetëm të mbarë vendit, por edhe u nderua me titullin “Qytetar Nderi” në Gjirokastër, Elbasan dhe Kuçovë.
Profesor Kalo përgjatë gjithë aktivitetit dhe ushtrimit të profesionit të tij ka dhënë një kontribut të madh dhe të çmuar jo vetëm në fushën e sëmundjeve infektive, por edhe më gjerë.
Ai është anëtar i disa Shoqatave Ndërkombëtare në fushën e Sëmundjeve Infektive e Tropikale dhe të Reanimacionit Mjekësor, autor botimesh të shumta në disa organe ndërkombëtare të shtypit mjekësor dhe shkencor.
Profesor Kalo është nderuar me titullin “Ambasador i Paqes” nga Federata Botërore e Paqes dhe i dekoruar nga Fondacioni Gjerman “George Marshall”, por mbi të gjitha ai është një burim frymëzimi për brezat e rinj, të cilët aspirojnë të kontribuojnë dhe të rriten profesionalisht në fushën e mjekësisë.
Hero është ai që e ka përkushtuar jetën e tij për diçka më të madhe se vetja.
Ndaj ne krenohemi me Profesor Kalon, dhe të gjithë mjekët dhe infermierët e vendit tonë, të cilët edhe në kushte të vështira e me mungesa të shumta mjetesh e pajisjesh mjekësore, vazhdojnë me përkushtim të tregojnë heroizmin e tyre të pashoq duke shërbyer me zell e me profesionalizëm në mbrojtje të shëndetit publik.
Mantelbardhët meritojnë respektin tonë të thellë dhe duhen mbështetur e vlerësuar sa më shumë në misionin e tyre fisnik, që të mos detyrohen të largohen për kushte më të mira, por ato t’u ofrohen këtu, në mënyrë që, të gjitha mundësitë për rritjen e tyre profesionale të jenë të tilla, që edhe ata të shërbejnë me dinjitetin që u takon në vendin e tyre, qytetarëve tanë.
Mjekët janë figurat më frymëzuese të shoqërisë, sidomos në drejtim të forcimit të ndjenjës së sakrificës, solidaritetit dhe humanizmit, ndaj edhe puna e tyre duhet të vlerësohet çdo ditë e më shumë.
Faleminderit Profesor Kalo për punën tuaj.
Faleminderit të gjithë kolegëve tuaj, mjekëve, infermierëve, dhe stafit mjekësor të Shqipërisë që keni shërbyer dhe shërbeni çdo ditë me përkushtim në mbrojtje të shëndetit tonë publik dhe të jetës së qytetarëve tanë.